Lidhje

Shqipëri, përhapja e COVID 19 në kuota të papërfillshme


Në Shqipëri situata e Kornavirusit është në nivele thuajse të papërfillshme. Gjatë javës së fundit (1 Qershor – 7 Qershor), u shënua vetëm një viktimë, një 63 vjeçare nga Saranda e cila humbi jetën këtë të hënë. Ndërsa në spital rezultojnë të shtruar 24 persona, nga 39 të sëmurë që ishin të hënën e shkuar më 31 Maj. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shendetësisë vetëm 6 persona po kurohen në terapi intensive. Rënia e vazhueshme e numrit të pacientëve bëri që pak ditë më parë spitali “Shefqet Ndroqi” t’i rikthehej normalitetit, dhe rastet me COVID 19 të trajtohen vetëm në Spitalin Infektiv.

Edhe rastet e reja janë në kuotat më të ulta që nga nisja e pandemisë. Në total gjatë gjithë javës së shkuar numërohen 69 të infektuar rishtazi, ose 31 përqind më pak se në javën pararendëse (25 Maj -31 Maj). Megjithatë testimet kanë vijuar të mbeten në nivele të larta. Gjatë gjithë javës janë kryer 20.554 tamponë me një mesatare ditore prej 2936 testimesh. Për pasojë përqindja e pozitiviteti (raporti mes testimeve dhe rasteve të reja) ka rënë në nivelet e 0.33 përqind. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

Aktualisht në të gjithë vendin numri i rasteve ende aktive ka zbritur në 230 të infektuar, nga të cilët gjysma e tyre janë në Tiranë (60 raste) dhe në Shkodër (54 raste).

Në ndërkohë, në vend po vijon procesi i vakinimit. Të dhënat zyrtare tregojnë se deri më tani janë kryer në total 798,624 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 306,102 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG