Lidhje

Kosova përballë dezinformimit


Instituti Kombëtar Demokratik, tha të mërkurën se shumë aktorë ndërkombëtarë dhe vendas po përdorin dezinformimin për të ndikuar në zgjedhje dhe në ndarjet etnike e shoqërore në Kosovë.

Këto komente u bënë në hapje të konferencës dyditëshe me temën: “Rritja e Dezinformimit në Demokracinë Digjitale”, e organizuar për herë të dytë nga Instituti Kombëtar Demokratik me seli në Shtetet e Bashkuara.

Kosova përballë dezinformimit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:09 0:00

Drejtori i këtij instituti, Derec Mitchell tha se dezinformimi po ndikon për të keq në demokracitë më të mëdha të botës dhe Kosova nuk bën përjashtim.

“Vlerësimi i NDI-së ka zbuluar se mjedisi informativ i Kosovës është i ngopur me dezinformim dhe çdo formë manipulimi dhe fjalime të dëmshëm. Ne kemi gjetur prova të forta se lojtarë ndërkombëtarë dhe vendas që përdorin dezinformimin për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, që shtypin mbulimin mediatik hulumtues dhe shfrytëzojnë ndarjet etnike dhe të tjera shoqërore”, tha ai duke nënvizuar se shumë kushte në Kosovë e bëjnë terrenin e përshtatshëm për dezinformim.

“Pandemia, situata ekonomike, ndarjet politike dhe etnike, zgjedhjet e fundit dhe bisedimet me Serbinë. Burime të veçanta të lajmeve dhe informacioneve në gjuhën shqipe dhe serbe në fakt e bëjnë Kosovën mjaft të ndjeshme ndaj manipulimit të informacionit. Ndërsa partitë panë mundësinë për të shfrytëzuar ndarjet për të mobilizuar votuesit, duke nxitur goditje të shpeshta politike ndaj kundërshtarëve dhe të shpërqendrojnë vëmendjen e publikut. Në këtë mënyrë dezinformimi normalizohet dhe tregtohet për lojëra politike”, tha ai.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett tha se sipas studimeve të Institutit Kombëtar Demokratik të gjitha partitë politike kanë përdoru një formë dezinformimi kundër kundërshtarëve gjatë zgjedhjeve të fundit.

“Kandidatet femra kanë qenë posaçërisht të goditura shpesh me gjuhë të ashpër dhe komente seksiste. Kjo ishte e vërtetë në zgjedhjet e fundit dhe do të vazhdojë, deri sa përfaqësuesit e partive politike nuk marrin një vendim konkret për t’u përmbajtur nga një gjuhë të tillë”, tha ai duke u bërë thirrje të gjitha partive politike të përmbahen nga gjuha seksiste, gjuha nxitëse, dezinformimi posaçërisht në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Glenn Kessler, redaktor dhe kryesues i kontrolleve të fakteve në Washington Post tha se gazetarët kanë një rol shumë të rëndësishëm për të luftuar dezinformimin.

“Kryesorja është të bësh punën tënde, të jesh i saktë, mos beso gjithçka, gjithmonë duhet të ndjekësh faktet edhe nëse janë dokumente të qeverisë apo që dalin nga goja e politikanëve, mund të mos jenë korrekte dhe duhesh të verifikosh dhe sa më shumë që verifikoni do të merrni më shumë reputacion për të qenë të saktë dhe korrekt, aq më shumë besueshmëri do të keni”, tha ai.

Zyrtarë të Institutit Kombëtar Demokratik thonë se Kosova ka shtrirjen më të gjerë të internetit dhe rrjedhimisht është më e prekshme nga dezinformatat. Ata thonë se demokracia e Kosovës është e varur nga integriteti i informacioneve, një gjë shumë e rëndësishme për qytetarët e saj për të mbajtur politikanët e tyre përgjegjës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG