Lidhje

Kosovë, qeveria dhe opozita debatojnë për bisedimet me Serbinë


Kosovë, qeveria dhe opozita debatojnë për bisedimet me Serbinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:48 0:00

Kosovë, qeveria dhe opozita debatojnë për bisedimet me Serbinë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se do të shkojë në Bruksel të martën që vjen për të filluar bisedime të reja me Serbinë dhe jo për të vazhduar ato që kanë filluar dhjetë vjet më parë.

Ai i bëri këto komente të premten gjatë një debati në parlamentin e Kosovës mbi ecurinë e deritanishme të procesit të bisedimeve me Serbinë.

Kryeministri Albin Kurti do të zhvillojë takimin e parë në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Pranimi i realitetit të një Kosove të pavarur nga ana e Serbisë, pranimi i krimeve të Serbisë në Kosovë, barazia e përfaqësuesve dhe qytetarit si përfitues përfundimtar janë parimet tona udhëheqëse në dialog. Ajo për të cilën unë do të doja të kishim konsensus është që të mos e trajtojmë shtetin tonë si peng i mosmarrëveshjes me Serbinë sepse kjo është një urgjencë artificiale e cila ka bërë dëm të jashtëzakonshëm dhe po vazhdon të na bëj ende”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti u përball me kritika të ashpra nga partitë opozitare për qasjen e tij kundruall bisedimeve me Serbinë.

“Zoti Kurti e keni shumë gabim qasjen që e keni në dialog sepse nën një po shkoni javën e ardhshme pa platformë në dialog, pa koncept, pa strategji, pa parime. Po shkon në dialog duke i shkel zotimet e juaja që nuk do të shkoni pa kërkuar falje Serbia, nuk do të shkoni pa u gjetur i pagjeturi i fundit, nuk do të shkoni në dialog pa i paguar Serbia dëmet e luftës, janë krejt platforma të juaja në dhjetë vitet e fundit. Keni thënë se nuk shkoni në dialog pa i anuluar marrëveshjet, sjelli në Kuvend dhe anuloj marrëveshjet, votat i ki, sjelli në Kuved dhe anuloj marrëveshjet”, tha zoti kryetari i Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj.

“Ju kryeministër po shkoni në dialog tërësisht i pa përgatitur. Para se të flsini me Serbinë duhet të flisni fillimisht në këtë Kuvend me qytetarët e juaj, me përfaqësuesit e tyre. Ju do të duhej që na parlament të parashtroni një dokument që së paku i paraqet parimet e kufizimet tuaja në këtë proces të rëndësishëm dhe keni pasur tre muaj kohë. Por këtë kohë e keni shfrytëzuar sërish për poullizëm duke thënë se dialogu nuk është prioritet po ja qe të martën vizitën e dytë tuaj jashtë vendit me dy këmbë e duar në tavolinë dialoguese”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku.

Kryeministri Albin Kurti tha se qeveria e tij nuk po shkon në Bruksel për të vazhduar, por për të filluar bisedime të reja.

“U kërkua nga ne që të vijmë me platformë për takimin e së martës, gabim do të ishte është gabim, a e dini pse është gabim sepse në javën e ardhshme nuk do të ketë takim të ri të dialogut të vjetër, nuk do të jetë një takim i radhës i të njëjtit dialog që na ka sjellë në këtë situatë por do të jetë takim për dialogun e ardhshëm, ky është dallim i madh konceptual”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se kryeministri Kurti po fshihet prej Amerikës, duke i bërë thirrje që të kërkojë mbështetjen e presidentit Joe Biden në procesin e bisedimeve.

“(Biden)E njeh çështjen shqiptare, e njeh në thelb, e lidh diçka edhe me Kosovën edhe familjare, pse ne hezitojmë t’i kërkojmë presidentit të Amerikës që është ky president pse hezitojmë me ja kërku ndihmën, i kemi dëgju arsyetmiet pse është hezituar për presidentit Trump, tash nuk kuptoj pse hezitojmë ku e kemi problemin, prej kujt jemi ka fshehim, pse nuk po guxojmë me i kërku Amerikës pra rolin e vet që i takon në këtë çështje, duke e ditur që çështjet e mëdhaja në Ballkan nuk kryhen pa hy presidenti i Amerikës në temë, janë pyetje me rëndësi dhe duhet t’u japim përgjigje këtyre pyetjeve”, tha zoti Haradinaj.

Analisti amerikan, David Phillips, tha ndërkaq gjatë një debati të organizuar nga Lidhja Demokratike se qasja e Serbisë në këto bisedime nuk është për të gjetur një zgjidhje por të vonojë atë. Ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet të shtojnë praninë në bisedime duke emëruar një përfaqësues të posaçëm presidencial.

“Pra, me të vërtetë mund të presim që Bashkimi Evropian të bëjë trysni mbi Serbinë për ta njohur Kosovën dhe për ta çuar këtë proces përpara? Vetëm Shtetet e Bashkuara kanë kapacitetin sot për të detyruar një marrëveshje, për të zbatuar marrëveshjen dhe përmes diplomacisë dhe ndërmjetësimit të përfshihen në bashkëpunimin trans-atlantik për t'i dërguar një mesazh shumë të qartë Beogradit, mjaft është mjaft, ky proces duhet të përfundojë, duhet të përfundojë me drejtësi për njerëzit e Kosovës”, tha zoti Philips.

Diplomatët perëndimor janë vënë në përpjekje për të përshpejtuar procesin e bisedimeve me shpresë për një marrëveshje para vitit të ardhshëm kur Serbia mban zgjedhjet parlamentare e presidenciale, gjë që do të çonte në një pezullim të ri të procesit të filluar dhjetë vjet më parë nga të dyja vendet që aspirojnë integrimet evropian. Por, pak vëzhgues besojnë në një mundësi të tillë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG