Në Shqipëri situata e pandemisë vijon të mbetet në shifra minimale. Edhe java e fundit (8 Qershor -14 Qershor) rregjistroi nivele shumë të ulta të rasteve të reja, ndërsa numri i personave ende aktiv u tkurr më tej. Në spitale gjendja ka ardhur gjithashtu në përmirësim dhe me shifra tejet të reduktuara të pacientevë të shtruar.
Sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë gjatë javës së fundit u rregjitruan 82 raste të reja, me një rritje të lehtë prej 13 të infektuarish krahasuar me javën pararendëse (1 Qershor -7 Qershor). Kuota më e ulët, prej vetëm dy rastesh u njoftua të hënën me 1 rast në Tiranë dhe 1 në Berat.
Ndërsa rastet ditore mbetën të ulta, testimet po mbahen në nivele të larta. Gjatë javës që shkoi në total u kryen 19.104 tamponë, me një mesatare prej 2729 testimesh në ditë. Pozitiviteti (përqindja mes rasteve të reja dhe tamponëve të kryer) vijon të jetë në kuota të papërfillshme, 0,42 përqind, ose 0,11 pikë përqind më shumë.
Ashtu si dhe javën e shkuar u shënua vetëm 1 viktimë. Ndërsa shtrimet në siptale ranë në kuotat e 20 pacientëve të hënë 14 Qershor nga 20 të shtruar që ndodheshin në spital të hënën e 7 Qershorit. Në terapi intensive numri i pacientëve të shtruar ka mbetur i pandryshuar thuajse gjatë gjithë javës, në nivelin e 6 të shtruarve.
Në të gjthë Shqipërinë deri të hënën, numëroheshin 143 raste aktive, ku numri më i madh është në Shkodër 43 raste dhe në Tiranë 38 të prekur.
Ritmet e procesit të vaksinimit, prej disa javësh nuk janë në nivele të larta, për shkak se sasia në dispozicion është reduktuar. Me mbërritjen sot të 20 mijë dozave dhuratë nga Qeveria e Greqisë dhe 11.700 të tjera të ardhura mbrëmjen e së hënës, totali i vaksinave arriti në 967 mijë doza, nga të cilat mbi 836 mijë janë tashmë përdorur. Mbi 332 mijë qytetarë kanë marrë tanimë dhe dozën e dytë.
“Nga grupet e vaksinuara, punonjësit e shëndetësisë dhe punonjësit e qendrave rezidenciale të përkujdesit shoqëror kanë një përqindje tepër të lartë vaksinimi, pra shkojnë deri në 89% të vaksinuar. Ndërsa nga të dhënat për grupmoshat, rezulton se grupmosha 60-70 vjeçare është vaksinuar në masën 82%. Një shifër jashtëzakonisht e mirë e konsideruar nga ekspertët e shëndetësisë, që na jep më shumë siguri për kontrollin e epidemisë në vend”, deklaroi të hënën ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në fjalën e marrë në parlamet ku u miratua një tjetër kontratë për 500 mijë vaksina të tjera kineve Coronavac.
Facebook Forum