Lidhje

ShBA-Britani mbyllin mosmarrëveshjet mes Airbus-it dhe Boeing-ut


Britania njoftoi të enjten se ka rënë dakord për të mbyllur një mosmarrëveshje 17 vjeçare me Shtetet e Bashkuara që është shoqëruar me tarifa hakmarrëse mes kompanisë evropiane të prodhimit të avionëve Airbus dhe rivalit amerikan Boeing.

Ky zhvillim vjen pas arritjes së një marrëveshjeje të ngjashme mes Bashkimit Evropian dhe ShBA-së të njoftuar të martën.

Kjo është mosmarrëveshja më e gjata në historinë e Organizatës Botërore të Tregtisë, e shoqëruar me tarifa të ndjesjellta hakmarrëse të vendosura ndaj produkteve në të dyja anët e Atlantikut.

Në një deklaratë të qeverisë britanike sqarohej se palët kanë rënë dakord "të pezullojnë tarifat hakmarrëse për pesë vjet".

Marrëveshja pason bisedimet mes sekretares britanike për Tregtinë Ndërkombëtare Liz Truss si dhe Përfaqësueses amerikane të Tregtisë, Katherine Tai.

Marrëveshja siguron pezullimin e tarifave hakmarrëse për produkte të ndryshme përfshirë uiskin skocez.

"Marrëveshja e sotme lë pas një çështje tepër të dëmshme", tha zonja Truss.

Sipas saj kjo nënkuptonte që Britania mund të përqendrohej tashmë në ngritjen e "marrëdhënieve së saj tregtare me ShBA-në në një nivel tjetër", ndërsa vendi po kërkon të arrijë një marrëveshje mbi tregtinë e lirë me Uashingtonin, pas Brexit-it.

Zonja Truss shtoi se të dy vendet do të punonin gjithashtu "më ngushtë për të sfiduar praktikat e padrejta nga vende si Kina si dhe për të përdorur fuqinë e tregtisë së lirë për një rimëkëmbje më mirë nga pandemia".

Presidenti Joe Biden dhe BE-ja ranë gjithashtu dakord për një pezullim afatgjatë të mosmarrëveshjeve mes Airbus-it dhe Boeing-ut në përpjekjet për t’u përqëndruar tek sfidat në rritje që vijnë nga Kina.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG