Lidhje

OKB përshëndet ndryshimet në programin amerikan të sistemimit të refugjatëve


Filippo Grandi, U.N. High Commissioner for Refugees, speaks during a joint statement with President Ivan Duque in Bogota, Colombia, Monday, Feb. 8, 2021. Colombia will register hundreds of thousands of Venezuelan migrants and refugees who are…
Filippo Grandi, U.N. High Commissioner for Refugees, speaks during a joint statement with President Ivan Duque in Bogota, Colombia, Monday, Feb. 8, 2021. Colombia will register hundreds of thousands of Venezuelan migrants and refugees who are…

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi thotë se sistemi i azilit në Shtetet e Bashkuara është bërë "i pakontrollueshëm" dhe se agjencia e tij mbështet "një përmirësim gradual drejt një sistemi migrimi më efektiv dhe njerëzor".

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Grandi tha se reforma mund të jetë e ndërlikuar dhe mund të kërkojë vite për t’u realizuar, por ai është i inkurajuar nga ajo që ka parë nga administrata e Presidentit Biden pas shkurtimeve të mëdha gjatë administratës së zotit Trump.

"Ne e mbështesim sepse është një nismë e nevojshme në përballjen me fluksin nga Amerika Qendrore, mes të cilëve ka refugjatë që po ikin nga dhuna, persekutimi, dhe diskriminimi", tha ai. "Kjo punë duhet të bëhet në çdo nivel, në vendet e origjinës, kryesisht Honduras, El Salvador, në njëfarë mase në Guatemalë, në vendet e tranzitit, duke përfshirë Meksikën, dhe në kufi”, shtoi ai.

Numri maksimal i refugjatëve të lejuar në Shtetet e Bashkuara ra nga 85,000 në 2016 në 18,000 në 2020. Administrata e Presidentit Biden e ka rritur atë në 62,500 këtë vit, dhe planifikon ta rrisë në të ardhmen deri në 125,000 numrin e refugjatëve të pranuar në vit.

Zyrtari i OKB-sëpër refugjatët tha se përveç rënies së kapacitetit të Shteteve të Bashkuara, pandemia e koronavirusit gjithashtu ndihmoi në uljen drastike të numrit të refugjatëve të sistemuar në të gjithë botën gjatë vitit 2020. Ai tha se numri i përgjithshëm i refugjatëve të sistemuar ra nga rreth 100,000 në 2019 në 34,000 vitin e kaluar.

"U detyruam të pezullonim udhëtimet sepse nuk kishte më fluturime", tha ai për Zërin e Amerikës.

Zoti Grandi tha se pandemia e koronavirusit e ka bërë të qartë se vendet "nuk mund të përballen të vetme" me këtë problem dhe se qeveritë ndonjëherë kanë nevojë për ndihmë për t’ua shpjeguar qytetarëve të tyre vlerën e programeve për të ndihmuar refugjatët.

"Ata kanë nevojë për mbështetje ndërkombëtare, veçanërisht kur ndërmarrin politika që mund të jenë të vështira, madje edhe të debatueshme, për audiencat e tyre të brendshme", tha zoti Grandi. "Mbështetja ndërkombëtare ndihmon për t'i shpjeguar popullatës së tyre rëndësinë e këtyre politikave shumë të mira."

Ai theksoi përparimin në Kolumbi, e cila në shkurt miratoi statusin mbrojtës 10-vjeçar për 1.7 milion njerëz të zhvendosur nga Venezuela.

“Tashmë më shumë se një milion venezuelianë kanë hyrë në fazën e parë të regjistrimit. Kjo është e mahnitshme”, tha zoti Grandi. “Kjo ndodhi në një kohë kur Kolumbia po ndeshet me sfida të vështira, si pandemia, trazirat shoqërore dhe politike, zhvendosjet e mbetura nga konflikti, procesi i paqes. Kështu që, në mes të gjithë kësaj, unë mendoj se përqafimi nga Kolumbia i një politike gjithëpërfshirëse dhe largpamëse për refugjatët dhe migracionin është shumë i rëndësishëm."

Megjithatë, zoti Grandi tha se veprimi i Kolumbisë përfaqëson "një nga hapat e vetëm pozitivë në këtë peisazh shumë negativ".

Ai përmendi sfidën e vazhdueshme të rritjes së numrit të njerëzve që janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre, që u rrit me 3 milionë vitin e kaluar duke arritur në 82.4 milionë në fund të vitit 2020, bazuar në shifrat e Agjencisë së OKB-së për Refugjatët.

"Luftërat, diskriminimi, qeverisja e keqe, shpesh e kombinuar me faktorë të tjerë si ndryshimi i klimës, pabarazia dhe varfëria, prishja e ekuilibrit demografik, e gjithë kjo nuk e ka ndalur lëvizjen njerëzore, veçanërisht lëvizjen e detyruar të njerëzve", tha zoti Grandi. “Sekretari i Përgjithshëm (i OKB-së) lëshoi ​një numër thirrjesh për një armëpushim global. Të them të drejtën, thirrjet e tij nuk u morën në konsideratë”, tha ai.

Pavarësisht nga sfidat e vazhdueshme, kur u pyet se çfarë mesazhi ka për refugjatët, zoti Grandi tha: "Mos e humbisni kurajon".

“Ne inkurajohemi nga qëndresa juaj. Mos u dorëzoni dhe ne do t'ju ndihmojmë që të ecni përpara", tha ai.

* Gazetarja e shërbimit spanjoll të Zërit të Amerikës, Celia Mendoza kontribuoi në këtë raportim nga Kolumbia.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG