Lidhje

Turqi, ndotja dhe rritja e temperaturave shton nivelin e mukozës detare


Turqi, ndotja dhe rritja e temperaturave shton nivelin e mukozës detare
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:08 0:00

Një shtresë masive e mukozës detare që ka mbuluar një pjesë të Detit të Marmarasë në Turqi është quajtur nga ekspertët një "katastrofë mjedisore". Përhapja e kësaj substance të trashë, të lëshuar nga organizmat detarë, ka alarmuar biologët detarë dhe ambientalistët. Puna për heqjen e saj nga ujërat përreth vijës bregdetare është duke vazhduar.

Ekspertët thonë se rritja e temperaturës së ujit nga ndryshimi i klimës po kontribuon në përkeqësimin e problemit të mukozës detare.

Dr. Berat Haznedaroglu nga Instituti i Shkencave të Mjedisit në Universitetin Bogazici thotë se kjo është një dukuri e natyrshme por ndryshimi i klimës, duke përfshirë rritjen e temperaturës së ujit dhe rënien e erërave, ka kontribuar në përhapjen madhe të kësaj substance.

"Ky është një material organik, një përzierje e lipideve, proteinave dhe karbohidrateve", shpjegon ai.

"Ajo që po ndodh tani është se algat që sintetizojnë këtë mukozë detare, janë rritur shumë. Dhe disa ngjarje për të ardhur keq, si rritjet e fundit të temperaturave, veçanërisht në nivelin e sipërfaqes së detit, kanë pakësuar erërat."

Përhapja e këtij viti ka qenë e jashtëzakonshme.

"Përhapja këtë vit arrin nivelin e një katastrofe mjedisore. Ato kanë nevojë për lëndë ushqyese të caktuara, ashtu si ne. Ushqimi i tyre është në thelb përbërje organike, plehra artificialë, azot, fosfor. Dhe për fat të keq, ne po hedhim shumë nga këta ndotës organikë në detet tona dhe sistemet oqeanike. Pra, ky është një nga problemet", thotë Dr. Berat Haznedaroglu.

Shtresa e mukozës detare mund të shihet mbi ujë përgjatë brigjeve të Stambollit dhe provincave fqinje. Ajo është përhapur edhe në Detin e Zi dhe në Egje.

Stambolli, qyteti më i madh i Turqisë me rreth 16 milionë banorë dhe pesë provinca të tjera, fabrika të shumta dhe qendra industriale, kufizohet me këtë pjesë të detit. Banorët e Stambollit janë të alarmuar nga katastrofa biologjike pranë qytetit të tyre.

"Ndërsa makthit të koronavirusit po i vjen fundi, tani ka arritur një makth i ri, ai i mukozës detare. Ne jemi shumë të mërzitur. Kjo është shumë e dëmshme për mjedisin. Ne nuk duam kurrë që Deti i Marmarasë të vdesë", thotë Ozlem Akdeniz.

"Peshkatarët nuk mund të shesin më peshkun. Njerëzit nuk po blejnë peshkun e kapur në Detin e Marmarasë", shton Hayrettin Cakir, banor i Stambollit.

Serdar Gulay thotë se nuk do të lahet në det.

"Kjo është hera e parë që kam parë diçka të tillë. Vitin e kaluar hyra në ujë, por këtë vit nuk do të guxoj as t'i afrohem. Duket vërtetë e tmerrshme. Është e dëmshme për natyrën dhe për njerëzit", thotë ai.

Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan tha se ai ka udhëzuar Ministrinë e Mjedisit dhe Urbanizimit që të koordinojë me institucionet përkatëse, bashkitë dhe universitetet për trajtimin e këtij problemi.

Në fillim të kësaj jave, ekipet e pastrimit hoqën një sasi të mukozës nga sipërfaqja e detit. Kjo është një përpjekje e mirë, thotë Dr. Berat Haznedaroglu, por mukoza që tashmë ka rënë në fund të detit do të marrë një kohë shumë më të gjatë për t'u pastruar natyrshëm. Nën ujë, koralet e mbuluara me mukozën detare po mbyten.

XS
SM
MD
LG