Lidhje

Kim: "Reforma në drejtësinë shqiptare duhet të bëhet e të ecë përpara vërtet dhe pa shtirje".


Në Tiranë, përfaqësuesit e diplomacisë amerikane nxitën institucionet e reja të drejtësisë, që ta kryejnë reformimin e këtij sistemi me vendosmëri dhe standarte.

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, tha sot në një tryezë me drejtuesit e institucionet e reja, që dolën nga reforma, se ky proces po ecte përpara, por për suksesin e tij duhej guxim e jo shtirje.

Kim: Reforma në drejtësinë shqiptare duhet të bëhet e të ecë përpara vërtet dhe pa shtirje
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:30 0:00

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, tha sot se reforma në drejtësi është një nga zhvillimet më të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë, për më shumë integrim drejt Bashkimit Europian dhe më shumë mirëqenie për qytetarët.

“Reforma në drejtësi nuk do të jetë e shpejtë, nuk është e lehtë dhe nuk do të jetë e përsosur. Por ajo ka për të ecur përpara dhe në fakt po ecën përpara hap pas hapi, si po e shohin të gjithë. Shpesh hapat janë të dhimbshëm, ndonjëherë dalin vështirësi, ndonjë herë ajo bllokohet, por sërsih lëviz përpara” - tha ajo.

Ambasadorja Kim i bëri këto komente në një konferencë, ku Komiteti Shqiptar i Helsinkit publikoi gjetjet e një monitorimi mbi punën e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, një projekt i mbështetur nga ambasada amerikane.

Ajo shtoi se shqiptarët nuk janë vetëm në këtë reformë. SHBA, tha ajo, po ndihmon vazhdimisht, po ashtu edhe roli i shoqërisë civile është i rëndësishëm.

“Ne jemi të angazhuar të punojmë me ju dhe të sigurohemi që reforma po ecën përpara. Vëzhgimi i mirëfunksionimit të institucioneve të reja, të dala prej saj është thelbësor në këto përpjekje. Ne nuk duhet të frikësohemi kur shohim se nga vijmë, ku jemi dhe ku duhet shkuar më tej, dhe cfarë duhet të bëjmë më mirë. E rëndësishme është që të ecet përpara.

KLGJ dhe KLP janë institucionet e para që u krijuan, dhe tani institucionet e reformës në drejtësi po veprojnë.

Institucionet e tjera po plotësohen së shpejti edhe me shumë prokurorë, gjyqtarë dhe hetues të tjerë.

“Shumë gjyqtarë dhe prokurorë janë hequr, shumë më tepër nga sa mendohej. Por kjo është mëse e nevojshme, nëse duam të jemi seriozë me reformën e drëjtësisë, dhe me plotësimin e kërkesave të qytetarëve për një drejtësi të pastër e profesionale, si dhe me arritjen e standarteve demokratike që çdo anëtar i NATO-s duhet të ketë, reforma në drejtësi është mëse e nevojshme. Le t’I lëmë shtirjet, dhe le ta bëjmë atë vërtet” - tha ambasadorja Kim.

Procesi po ecën përpara; gjykata e lartë u bë me 7 anëtarë, hapa të tjerë po hidhen nga KLGJ dhe KLP.

“Puna juaj nuk është e lehtë, - u tha ambasadorja Kim drejtuesve të KLGJ-së dhe KLP-së - por nuk keni zgjidhje tjetër veçse t’ia dilni me sukses. Institucionet po kryejnë detyrat e tyre, dhe qytetarët presin që pas vetingut të ketë përmirësim në sistemin e drejtësisë, ndaj këtë duhet ta bëni sa më mirë dhe sa më shpejt që mundeni”.

Ambasadorja Kim tha se ruajtja e standarteve të larta është detyrë e institucioneve shqiptare.

“Presionet janë të kuptueshme bazuar në kushtet e jetesës në Shqipëri. Ky është çasti, - u tha ajo përfaqësuesve të institucioneve të reja të drejtësisë - Ju keni një rol kritik, sepse po punoni për të ardhmen, për fëmijët tuaj, brezin tjetër. Objektivat janë të vështirë, por jo të paaritshëm, askush nuk mendon se është e lehtë, dhe as që ka kosto,. Nëse ju nuk e bëni këtë sot, brezat e ardhshëm do të paguajnë kostot”.

SHBA janë mbështetësit kryesorë në procesit e reformimit të sistemit gjyqësor të Shqipërisë.

Ato kanë dhënë një ndihmesë të shumëllojshme në gjithë hallkat e procesit, nga fondet materiale dhe ekspertiza dhe deri te stërvitja e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG