Lidhje

Shqipëri, marrëveshje me Bechtel për fazën e parë të HEC-it të Skavicës


Në Tiranë, Korporate Energjitike Shqiptare dhe kompania amerikane Bechtel nënshkruan të hënën kontratën për fazën e parë të ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës.

Ministrja shqiptare e Energjisë, Belinda Balluku e konsideroi firmosjen e kontratës së sotme (e hënë) si një moment shumë të rëndësishëm për realizimin e këtij projekti madhor për sistemin energjitik shqiptar.


Hidrocentrali i Skavicës, me një kosto prej disa qindra million euro, jo vetëm që do të rrisë me 20 për qind prodhimin vendas të energjisë elektrike, por do të shërbejë dhe si një rregullator për hidrocentralet e tjerë të kaskadës së Drinit, duke optimizuar dhe rritur kapacitetet e tyre prodhuese.

Në këtë mënyrë, pritet që të minimizohen ndjeshëm dhe përmbytjet në zonën e Nën Shkodrës, gjatë sezonit të reshjeve.

Kontrata e firmosur të hënën parashikon që për një periudhë 18 mujore të realizohet projekti e detajuar, studimi gjeoteknik, të përcaktohen rrugët paraprake të ndërtimit, dhe të përfundojë vlerësimi i ndikimit social dhe mjedisor.

Në përmbyllje të kësaj faze, palët pritet që të nënshkruajnë dhe kontratën për realizimin e punimeve për ndërtimin e hidrocentralit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG