Lidhje

Autoritetet afgane thonë se kanë zmbrapsur Talibanët në një qytet veriperëndimor


Autoritetet në Afganistan thanë të mërkurën se forcat pro-qeveritare kishin zmbrapsur kryengritësit Talibanë nga pjesë të një qyteti veriperëndimor dhe rifituar kontrollin e ndërtesave zyrtare pas orësh përplasjesh të ashpra.

Luftimet shpërthyen në pjesë të kryeqytetit të provincës Badghi, Qala-e-Naw, pasi Talibanët e sulmuan atë brenda natës nga shumë drejtime. Banorët dhe zyrtarët thanë se luftëtarët kryengritës u futën në qytet, duke marrë nën kontroll komplekset kryesore të sigurisë, përfshirë selinë e policisë provinciale dhe duke liruar rreth 600 të burgosur nga burgu qendror.

Pamjet e lëshuara nga Talibanët tregonin të burgosurit që arratiseshin nga objekti dhe luftëtarët kryengritës duke lëvizur me motorë në pjesë të ndryshme të qytetit.

Guvernatori krahinor Hessamuddin Shams i tha Zërit të Amerikës se Talibanët morën nën kontroll të gjitha qarqet përreth Qala-e-Naw-s ditët e fundit, duke u mundësuar atyre të sulmojnë kryeqytetin e provincës.

Përleshjet vazhduan në qytet gjatë gjithë të mërkurës përpara se forcat afgane, të mbështetura nga sulmet ajrore, të zmbrapsin kryengritësit nga qyteti më vonë pasdite.

Zoti Shams më vonë tha ndërsa fliste me gazetarët se shumica e të burgosurve ishin rikapur. Një zëdhënës i Ministrisë Afgane të Mbrojtjes, Fawad Aman, shkroi në Twitter se forcat qeveritare shkaktuan viktima të shumta mes kryengritësve "të arratisur".

((https://twitter.com/FawadAman2/status/1412776098484699141?s=20))

Luftëtarët talebanë kanë bërë përparime të shpejta territoriale në të gjithë Afganistanin që nga 1 maji, kur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s filluan zyrtarisht tërheqjen e trupave të fundit të mbetura në vend. Kryengritësit që atëherë kanë pushtuar të paktën 150 nga më shumë se 400 qarqe të Afganistanit.

Sulmi ndaj Qala-e-Naw-s ishte i pari nga Talibanët kundër një kryeqyteti provincial, duke nxitur frikën se kryengritësit synojnë të rimarrin pushtetin në Kabul me forcë në vend që të kthehen në tryezë për bisedimet e paqes me përfaqësuesit e qeverisë Afgane për të negociuar një zgjidhje politike.

Talibanët gjithashtu kanë rrethuar kryeqytetet e tjera provinciale, veçanërisht ato në Afganistanin verior dhe verilindor, duke ngritur alarmin në shtetet fqinje të Azisë Qendrore. Kryengritësit atje kanë kapur dhjetëra qarqe në ditët e fundit, kryesisht për shkak se forcat pro-qeveritare ose u tërhoqën ose u dorëzuan. Rreth 1,600 ushtarë gjithashtu u larguan për në Taxhikistan nga provinca kufitare e Badakhshanit për t'u shpëtuar sulmeve të Talibanëve.

Forcat e huaja të udhëhequra nga SHBA pritet të tërhiqen plotësisht nga Afganistani deri më 11 shtator, që është vendosur si afat nga Presidenti Joe Biden në mes të prillit.

Dalja e trupave të huaj është rezultat i një marrëveshje paqeje të negociuar nga Uashingtoni me Talibanët në Shkurt 2020 nën Presidentin e atëhershëm Donald Trump. Ajo parashikon që kryengritësit të luftojnë terrorizmin në tokën afgane dhe të negociojnë një marrëveshje paqësore politike me qeverinë e Kabulit.

Por negociatat e paqes të ndërmjetësuara nga SHBA kanë ecur ngadalë që kur filluan shtatorin e kaluar në Katar dhe nuk patën shumë sukses.

Të martën, ushtria amerikane njoftoi se procesi i tërheqjes ishte më shumë se 90 përqind i përfunduar. Zyrtarët kanë thënë se i gjithë procesi pritet të përfundojë deri në fund të gushtit.

Edhe shumica e trupave të NATO-s është larguar tashmë nga vendi.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës për Sigurinë Kombëtare, Jeff Seldin kontribuoi për këtë artikull

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG