Lidhje

Biden, fjalim mbi tërheqjen e trupave nga Afganistani


Presidenti amerikan Joe Biden pritet të mbajë të enjten një fjalim mbi tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani, një proces që po përballet me kritika mes përparimit në mjaft zona të luftëtarëve talebanë.

Presidenti Biden pritet të flasë pas një takimi të tij dhe Nënpresidentes Kamala Harris me drejtuesit e sigurisë kombëtare për t’u informuar rreth procesit të tërheqjes.

Të martën, ushtria amerikane njoftoi se ka përfunduar 90 për qind procesit, i cili pritet të përfundojë deri në fund të muajit gusht. Trupat e NATO-s po ndjekin gjithashtu të njëjtin shembull dhe shumica e tyre tashmë janë larguar nga vendi.

Sekretarja e shtypit i Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki u tha gazetarëve të mërkurën se Shtetet e Bashkuara i mbështesin negociatat diplomatike për të zgjidhur konfliktin në Afganistan dhe se Uashingtoni parashikon që pas tërheqjes së trupave të ketë një prezencë diplomatike dhe humanitare në këtë vend.

"Një nga arsyet që presidenti mori këtë vendimin është sepse ai nuk mendon se ka një zgjidhje ushtarake për një luftë 20-vjeçare", tha zonja Psaki.

Që prej 1 majit kur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s filluan zyrtarisht tërheqjen e trupave të tyre të fundit të mbetur nga Afganistani luftëtarët talebanë kanë bërë përparime të shpejta në të gjithë territorin e vendit.

Që nga ajo kohë kryengritësit kanë pushtuar të paktën 150 nga më shumë se 400 qarqe të Afganistanit.

Autoritetet në Afganistan thanë të mërkurën se forcat pro-qeveritare kishin arritur t’i zmbrapsin kryengritësit Talibanë nga pjesë të qytetit veriperëndimor Qala-e-Naw dhe kishin rifituar kontrollin e ndërtesave zyrtare pas disa orësh përplasjeje të ashpra.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG