Lidhje

Kaliforni, studentët e universiteteve shtetërore krijojnë agjencinë e tyre të lajmeve


Studentë gazetarë në 23 universitete të sistemit shtetëror të arsimit të lartë në Kaliforni kanë luajtur rol kyç në informimin e studentëve të tjerë lidhur me pandeminë. Redaksitë studentore tani janë të ndërlidhura përmes një shërbimi dixhital që ofron mundësi për shfrytëzim më efiçent të burimeve dhe shkëmbim të informacionit nga një cep në tjetrin në këtë shtet të madh. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan njofton:

Kaliforni, studentët e universiteteve shtetërore krijojnë agjencinë e tyre të lajmeve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:13 0:00

Sistemi shtetëror universitar në Kaliforni ka 485,000 studentë që e bëjnë më të madhin në Shtetet e Bashkuara.

Që nga fillimi i pandemisë kur mësimdhënia kaloi në platfomat dixhitale, interesimi i studentëve për informacion është shtuar, sidomos për lajme që ndikojnë tek Sistemi Shtetëror Universitar i Kalifornisë, ose sistemi CSU.

Informacionin e ndajnë studentët gazetarë.

“Bordi i drejtuesve, apo presidentët e universiteteve individuale ose organizatat studentore, të gjithë e kanë të vështirë të ndjekin çdo gjë që ndodh në të gjithë sistemin CSU, pasi duhet të lexosh çdo gazetë studentore nga çdo universitet që të informohesh,” thotë Aidan McGloin me Sistemin e informimit për Universitetet Shtetërore të Kalifornisë.

Por mungonte një burim i vetëm informimi, prandaj në vitin e fundit të studimeve në Universitetin Politeknik San Luis Obispo, pjesë e sistemit shtetëror universitar të Kalifornisë, Aidan McGloin vendosi të krijonte një sistem informativ të ngjashëm me një agjenci lajmesh për studentët.

Studentët gazetarë takohen përmes platformave dixhitale si Slack dhe shkëmbejnë histori përmes faqes për publikime Substack.

Agjencia studentore e lajmeve ofroi raportime mbi protestat e fundit nga amerikanë me origjinë nga Azi-Paqësori pas një numër sulmesh të nxitura nga racizmi.

“Jo të gjithë jetojnë në qytete të mëdha ku ka pasur protesta masive. Në një qytet si San Francisko gjithmonë ka zhvillime,” thotë redaktorja Samantha Laurey.

Studentët në kolegjin Cal State Dominguez Hills pranë Los Anxhelosit raportojnë për ngjarjet brenda dhe jashtë perimetrit të universitetit.

“Shumë nga zhvillimet më të rëndësishme që mbulojmë kanë pasur lidhje me racizmin, ndryshimin e protokolleve për pandeminë, ndërtime në mjediset studentore dhe format e ndryshme që përdor universiteti për të ndihmuar studentët të ndjekin mësimet përmes internetit,” thotë kryeredaktorja Taylor Helmes.

Kur zhvillimet janë me interes përtej kufijve të universitetit, ndahen përmes shërbimit informativ.

Destiny Jackson, e diplomuar kohët e fundit, thotë se gazetat studentore kanë nevojë për perspektia të ndryshme:

“Nuk dua të më ofrojnë punë thjesht sepse këtë verë kanë shpërthyer protestat kundër racizmit dhe redaksia do dikë me ngyrë në staf. Ndoshta duhet vërtetë një gazetare afrikano-amerikane në këtë redaksi, por nuk duhet të harrojnë se unë dua të mbuloj edhe tema të tjera, jo thjesht traumën e shkaktuar nga dhuna policore,” thotë ajo.

Studentët gazetarë mbulojnë tema që nuk i gjen në portale të tjera, totë eksperti Gary Metzker.

“Disa nga këto raportime nuk do i gjesh në gazetat LA Times, apo San Diego Union-Tribune. Ne ofrojmë mbulim original që nuk e gjen në asnjë vend tjetër”.

Studentët gazetarë nënvizojnë se puna gazetareske nuk ndryshon thjesht për faktin që ata janë studentë.

“Studentët gazetarë nganjëherë nënvlerësohen, apo nuk shihen si gazetarë të vërtetë, por në fakt ne jemi në terren për mbledhjen e fakteve, për të treguar ngjarjet. Ajo që na dallon është se ne jemi të përkushtuar të sjellim histori e lajme nga mjediset universitare,” thotë Madalyn Amato, kryeredaktore e buletinit “Daily 49er”.

Në këto rrethana izolimi, këto histori i mbajnë studentët të lidhur me njeri-tjetrin në çdo cep të Kalifornisë.

XS
SM
MD
LG