Lidhje

Gjermani, situatë e rënduar nga përmbytjet vdekjeprurëse


Evropa Perëndimore vazhdon të përballet me vërshimet që u morën jetën më shumë se 125 personave, ndërsa ende nuk dihet për fatin e mbi 1 mijë personave të pagjetur. Shumica e viktimave janë nga Gjermania, vendi më i goditur nga përmbytjet vdekjeprurëse.

Gjermani, situatë e rënduar nga përmbytjet vdekjeprurëse
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:49 0:00

Vetëm në Gjermani, mbi 100 persona humbën jetën pas përmbytjeve të mëdha, shifra më e lartë e vdekjeve në këtë shtet nga një katastrofë natyrore ndër vite.

12 nga të vdekurit ishin banorë të një shtëpie kujdesi për personat me aftësi të kufizuara, të cilët gjatë natës së mbrëmshme ishin zënë në befasi nga vërshimet.

Aturotetet belge njoftuan për vdekjen e 18 personave.

Ekipet emergjente po vazhdojnë kërkimet për rreth 1 mijë e 300 persona të zhdukur.

Komunitete të tëra janë shkatërruar pasi ujrat e rrëmbyer të lumenjve përmbytën qytete dhe fshatra në shtetin gjerman Rhine-Palatinate, ku autoritetet thonë se 63 persona kanë humbur jetën. Në shtetin fqinj North Rhine-Westphalia zyrtarët thanë se numri total i vdekjeve është 43.

Banorët e qytetit Schuld tregojnë se si u deshën vetëm pak minuta që ata të ndihen të pafuqishëm në një prej vendeve më të pasura dhe më të begatë në botë.

"Ishte e tmerrshme sepse nuk kishe mundësi të ndihmoje njerëzit. Ata na thirrnin nga dritaret. Shtëpitë po shembeshin nga çdo anë, ndërsa ata kërkonin ndihmë. Ne ishin me fat që mbijetuam”, thotë Frank Thel.

"Uji ishte shumë i fuqishëm. Ne ishim në shtëpi kur uji çau derën dhe mua më hodhi tek oxhaku. Kaq presion kishte uji kur përmbyti shtëpinë“, tregon një banor tjetër.

Ushtria gjermane dërgoi mbi 850 ushtarë në dy shtetet më të prekura, për të ndihmuar përpjekjet e shpëtimit. Sipas autoriteteve, zjarrëfikësit shpëtuan me helikopterë mbi 300 persona.

Westnetz, kompania më e madhe e furnizimit me energji elektrike tha se rreth 114 mijë familje kanë ngelur pa drita. Edhe rrjeti i telefonisë mobile pushoi së funksionuari në pjesën më të madhe të rajonit.

Ndërsa u shpreh thellësisht i prekur nga situata, Presidenti gjerman Frank Walter Steinmeier, tha se është koha për të luftuar ndryshimet klimatike.

“Vetëm duke marrë përsipër luftën kundër ndryshimit të klimës, do të jemi në gjendje të kontrollojmë kushtet ekstreme të motit, siç jemi duke përjetuar tani”, tha ai.

Për Gjermaninë ky është numri më i madh i vdekjeve të shkaktuara nga një katastrofë natyrore, që nga vërshimet vdekjeprurëse të Detit të Veriut më 1962 kur kishin humbur jetën 340 persona.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG