Lidhje

Kryeministri i ri i Haitit bën betimin


Kryeministri i ri i Haitit, Ariel Henry, mori detyrën të martën pas vrasjes së presidentit dy javë më parë, me premtimin për të përmirësuar sigurinë në vend dhe për të organizuar zgjedhje.

Zoti Henry u vu në krye të qeverisë në një përpjekje për të stabilizuar vendin që ishte në prag të kaosit që pas vrasjes së Presidentit Jovenel Moise në rezidencën e tij në orët e para të mëngjesit të 7 korrikut.

Marrja e detyrës nga zoti Henry, i cili u emërua në këtë post nga Moise disa ditë para vdekjes së tij, u pa si një hap i rëndësishëm drejt mbajtjes së zgjedhjeve siç kërkohej nga shumë haitianë dhe bashkësia ndërkombëtare.

Pas vrasjes së presidentit nga komando të armatosur, kryeministri në detyrë Claude Joseph deklaroi një "gjendje të jashtëzakonshme" dhe tha se ishte ai që drejtonte vendin, duke i hapur rrugën një lufte për pushtet në vendin e varfër të Karaibeve, të shkatërruar nga dhuna.

Zoti Joseph, i cili pranoi të jepte dorëheqjen dhe t'ia kalonte drejtimin zotit Henri, u kthye në ish-postin e tij si ministër i jashtëm.

Autoritetet haitiane, me ndihmën e FBI-së janë ende duke hetuar motivet e vrasjes së presidentit Moise.

Mbi 20 persona, shumë prej tyre ish-pjesëtarë të personelit ushtarak kolumbian, janë arrestuar në lidhje me vrasjen.

XS
SM
MD
LG