Lidhje

Kosovë, kritika për procesin e vaksinimit kundër COVID-19


Kosova
Kosova

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë konfirmoi të mërkurën 5 raste të reja të infektimit me koronavirus pas 358 testeve, ndërsa nuk ka pasur asnjë rast vdekjeje. Ndonëse numri i të prekurve është shumë i ultë në vazhdimësi kohët e fundit, autoritetet po bëjnë thirrje për vaksinim sa më të madh të qytetarëve për të parandaluar një valë të re të mundshme infektimesh gjatë muajve në vijim.

Deri më tash në Kosovë janë dhënë më shumë se 233 mijë doza të para të vaksinës ndërsa qeveria e Kosovës synon që deri në fund të këtij viti të vaksinojë 60 për qind të popullatës.

Por, procesi i vaksinimit u kritikua nga opozita gjatë një debati të organizuar nga Instituti Demokratik Kombëtar mbi këtë çështje.

Ish, ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj tha se qeveria aktuale është duke bërë përpjekje që të zhbëjë çdo punë që është bërë nga qeveria e kaluar dhe kjo sipas tij ka ndikuar edhe të mënyra e administrimit të procesit të vaksinimit.

“Qasja se si ka filluar në fillim, ju e keni parë ato grumbullime, mënyra e komunikimit me qytetarë, me moshat, interferimet nga jashtë ndoshta edhe njerëz të tjerë, çështja ndaj së vërtetës se sa njerëz janë vaksinuar në Kosovë, cilat janë grupe tjera që janë vaksinuar por nuk janë vaksinuar në Kosovë por jashtë territorit të Kosovës, cili është numri i tyre në mënyrë që të arrijmë te një plan detal i përfundimit të imunizimit në këtë pjesë”, tha ai.

Ndërsa, deputeti Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike në opozitë tha se qeveria ka dështuar në sigurimin e vaksinave dhe në administrimin e procesit.

“Deri tani vaksinat e distribuara, shumica janë donacione të dhuruara nga donatorët e ndryshëm të Kosovës, qoftë nga mekanizmi COVAX, qoftë nga BE apo vendet mike të Kosovës dhe së fundmi ishte edhe donacioni nga Norvegjia i cili u pranua në kundërshtim me ligjin për pajisje të produkteve medicinale”, tha ai.

Por, deputetja e lëvizjes Vetëvendosje në qeveri, Fatmire Mulhaxha Kollçaku tha se tashmë vaksinimi ka hyrë në rrjedha normale dhe se qeveria do të arrijë që të përmbushë synimet e saj.

“Ajo çfarë është e sigurt që ai synim që është caktuar nga qeveria që të vaksinohen deri në fund të vitit 60 për qind të qytetarëve që duhet të vaksinohen tash është e qartë që do të realizohet”, tha ajo.

Aktualisht në Kosovë procesi i vaksinimit po bëhet nga mosha 18 vjeç e lart. Shqetësimi kryesor për autoritetet shëndetësore, aktualisht është varianti delta, dy rastet e para të të cilit u konfirmuan në fund të muajit të kaluar në Kosovë.

Që nga 13 marsi i vitit 2020 janë konfirmuar afër 108 mijë të prekur nga koronavirusi dhe 2 mijë e 265 kanë humbur jetën nga pasojat e tij.

XS
SM
MD
LG