Lidhje

“Shkëmbi i Madh Koralor” nuk futet në listën e UNESCO-s, reagojnë aktivistët


Shkencëtarët australianë dhe aktivistë të mjedisit kundërshtuan një vendim nga UNESCO për të mos klasifikuar si zonë “të rrezikuar” shkëmbinjtë nënujorë koralorë. Shkencëtarët thonë se nëse shkëmbinjtë nënujorë shemben, kjo do të shkaktonte një efekt domino me pasoja katastrofike duke lënë një të katërtën e jetës detare në botë pa habitatet e tyre.

“Shkëmbi i Madh Koralor” nuk futet në listën e UNESCO-s, reagojnë aktivistët
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:21 0:00

Shkencëtarët dhe aktivistët e mjedisit kanë kërkuar për vite me radhë mbrojtje më të madhe për shkëmbinjtë koralorë të Australisë, por të premten Komiteti i Trashëgimisë Botërore i Kombeve të Bashkuara nuk pranoi të deklarojë se “Shkëmbi i Madh Koralor” është në rrezik.

Shefi ekzekutiv i organizatës mjedisore “Greenpeace Australia Pacific”, David Ritter tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se vendimi ishte një gabim.

“Vendimi i UNESCO-s ishte një vendim i tmerrshëm, një mundësi e humbur për të thënë se sa në rrezik janë këta shkëmbinj koralorë dhe për të filluar betejën me qeverinë australiane, për të zvogëluar kontributin tonë në ndryshimin e klimës”, thotë zoti David Ritter, nga organizata mjedisore “Greenpeace Australia Pacific”

Gjatë muajit qershor UNESCO rekomandoi që “Shkëmbi i Madh Koralor” i Australisë të klasifikohej si një zonë “në rrezik”, duke sjellë një reagim të ashpër të qeverisë australiane.

Pas një lobimi intensiv nga Australia, një panel i organizatës së Kombeve të Bashkuara për çështjet e arsimit, shkencës dhe kulturës vendosi të premten që të shtyjë votimin në vitin 2022.

“Është e vështirë të imagjinohet se sa e rrezikuar është kjo zonë. Por është e qartë se interesa të veçanta kanë triumfuar këtu. Nuk ka triumfuar arsyeja se sa në rrezik janë këta shkëmbinj koralorë”, thotë zoti David Ritter, nga organizata mjedisore “Greenpeace Australia Pacific”.

Australia mbështetet në energjinë me qymyr dhe është ndër emetuesit kryesorë në botë të karbonit. Qeveria e saj konservatore thotë se përdorimi i energjisë nga qymyri është e nevojshme për të mbrojtur vendet e punës.

“Qeveria po thotë se mbajtja larg nga lista e UNESCO-s e shkëmbinjëve koralorë do të mbrojë turizmin. Nuk mendoj se është e vërtetë. Dhe kërcënimi i vërtetë është turizmi i pakontrolluar tek kjo zonë dhe dashuria e Australisë me lëndët djegëse fosile”, thotë Terry Hughes, studiues i shkëmbinjve koralorë.

Ministrja australiane e Mjedisit, Susan Ley tha në një deklaratë se zona e shkëmbinjëve koralorë është një nga zonat e menaxhuar më mirë dhe se qeveria ka investuar më shumë se tre miliardë dollarë për mbrojtjen e saj.

Por ekspertët thonë se kjo masë e qeverisë nuk është mjaftueshme për të mbrojtur biodiversitetin që sipas tyre është i dëmtuar rëndë. Shkencëtarët thonë se nëse shkëmbinjtë nënujorë shemben, kjo mund të shkaktojë një zinxhir katastrofik duke lënë një të katërtën e jetës detare në botë pa habitatet e tyre.

XS
SM
MD
LG