Lidhje

BE, SHBA bëjnë thirrje për ruajtjen e stabilitetit dhe demokracisë në Tunizi


Bashkimi Evropian theksoi të martën nevojën për të ruajtur demokracinë dhe stabilitetin në Tunizi pas pezullimit të parlamentit dhe shkarkimit të kryeministrit të vendit nga presidenti tunizian Kais Saied.

"Bëjmë thirrje për rivendosjen e stabilitetit institucional sa më shpejt të jetë e mundur, dhe në veçanti për rinisjen e veprimtarisë parlamentare, respektimin e të drejtave themelore dhe heqje dorë nga të gjitha format e dhunës," tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell në një deklaratë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se kishte folur me zotin Saied në telefon dhe kishte shprehur "mbështetjen për demokracinë e Tunizisë."

"E inkurajova Presidentin Saied t'i përmbahet parimeve të demokracisë dhe të drejtave të njeriut që janë baza e qeverisjes në Tunizi dhe e nxita atë të mbajë një dialog të hapur me të gjithë aktorët politikë dhe popullin tunizian," shkruante zoti Blinken në Twitter.

Veprimet e presidentit Saied të dielën vonë pasuan disa javë trazirash politike në vend - nxitur pjesërisht nga zemërimi i publikut për trajtimin nga qeveria të pandemisë COVID-19.

Zoti Saied, që nuk i takon një partie politike, tha se ai veproi në përgjigje të shqetësimeve për ekonominë dhe bllokimit politik të vendit dhe shtoi se sipas kushtetutës ai ka autoritetin për masat e marra.

Rached Ghannouchi, kryetari i parlamentit dhe kreu i partisë më të madhe Ennahdha, i quajti veprimet e presidentit një "grusht shteti" dhe tha se organi legjislativ do të vazhdojë punën.

Edhe dy parti të tjera kryesore në parlament e quajtën atë një grusht shteti, gjë që presidenti e hodhi poshtë.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se administrata e zotit Biden është e shqetësuar për situatën. Ajo u tha gazetarëve se zhvillimet "vijnë ndërsa autoritetet tuniziane po përpiqen të stabilizojnë ekonominë e tyre, të përballen me keqësimin e pandemisë COVID-19 dhe të përmirësojnë standardet e jetesës për të gjithë tunizianët."

Pas njoftimit të zotit Saied, turma demonstruesish dolën në rrugët e kryeqytetit Tuniz dhe qytete të tjera në mbështetje të vendimeve, duke reflektuar zemërimin e publikut ndaj parlamentit për të adresuar problemet e vendit.

Por jashtë ndërtesës së parlamentit dolën edhe protestues që ishin kundër veprimeve të presidentit dhe pati përplasje mes grupeve kundërshtare.

Autoritetet tuniziane bllokuan një transmetim të drejtpërdrejtë të televizionit Al-Jazeera të Katarit, me pretendimin se korrespodenti i tij dukej se po inkurajonte turmën e vogël të protestuesve të brohoriste kundër qeverisë. Televizioni njoftoi se zyrat e tyre në kryeqytetin tunizian ishin mbyllur e mbyllur dhe se gazetarët nuk po lejoheshin të hynin.

Tunizia ka pasur probleme ekonomike për vite me radhë, dhe përveç sfidave politike, është përballur me një rritje të rasteve dhe vdekjeve të COVID-19.

Analisti politik Amin Mustafa i tha Zërit të Amerikës se "shumica e tunizianëve janë dëmtuar rëndë nga kriza e vazhdueshme ekonomike dhe papunësia e lartë, kështu që çështja e pezullimit të parlamentit nuk ka të ngjarë të hasë një reagim të madh negativ."

Federata Tuniziane e Punës deklaroi të hënën se i konsideron "të gjitha masat e marra nga presidenti si të ligjshme".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG