Lidhje

Shqipëri, rikthehen viktimat nga COVID 19, shtohen pacientët në spital


Në Shqipëri sot u shënua një viktimë e re nga Covid 19, pas një periudhe disa javore pa asnjë humbje jete. Rasti i fundit i një vdekje nga koronavirusi ishte rregjistruar me 26 Qershor, në një kohë kur numri i të prekurve kishte rënë në kuota minimale, e po ashtu dhe të shtruarit në spitale.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, pacienti që ka humbur jetën në spital, është “një 74 vjeçar nga Kurbini, i cili nuk ishte vaksinuar ndaj COVID 19”. Ky rast vjen pasi shtrimet në spitalin Infektiv në Tiranë, kanë ardhur duke u rritur. Pasi zbritën deri në 1 pacient ditët e fundit të muajit qershor, të dhënat e së mërkurës flasin për 17 të shtruar që po kërkojnë trajtim të specializuar.

Shtrimet e shtuara në spital duket se reflektojnë tendencën në rritje të rasteve të reja me COVID 19, të ndikuara, sipas dhe autoriteteve nga prania e variantit Delta.

Përgjatë gjithë korrikut janë rregjistruar mbi 420 të prekur të rinj, ndërkohë që gjatë gjithë muajit Qershor ishin në total 186 të infektuar.

Gjatë 24 orëve të fundit sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë konstatuar 30 raste të reja: 14 në Tiranë, 4 në Elbasan, 3 në Lezhë, 2 në Shkodër, nga 1 rast në Durrës, Kurbin, Korçë, Librazhd, Sarandë, Delvinë, Kuçovë.

Edhe rastet aktive kanë shënuar një rritje të ndjeshme. Nga 53 të tillë që ishin në fund të qershorit, tanimë numërohen 321 të tllë, ose gati 6 herë më shumë. Nga fillimi i pandemisë, në mars të vitit të shkuar, në Shqipëri rezultojnë zyrtarisht gati 133 mijë të prekur.

Autoritetet për përsërisin me forcë thirrjet për respektimin e rregullave anti covid, duke ftuar qytetarët të vaksinohen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG