Lidhje

Shqipëria dhe Mali i Zi hapin një pikëkalim të ri kufitar


Shqipëria dhe Mali i Zi hapën të martën një pikëkalim të ri kufitar, vendin e quajtur Grabom. Ky është pikëkalimi i katërt kufitar mes dy vendeve fqinje. Pikëkalimi kufitar i Grabomit mundëson një komunikim më të shpejtë se deri tani mes Plavës, Gucisë, Vermoshit, komunës së Tuzit dhe asaj të Podgoricës. Në ceremoninë e hapjes së pikëkalimit morrën pjesë kryeministrat e dy vendeve, Edi Rama dhe Zdravko Krivokapiç. Ndërtimi i pikëkalimit kufitar të Grabomit është financuar nga Bashkimi Europian.

Shqipëria dhe Mali i Zi hapin një pikëkalim të ri kufitar
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:45 0:00

Pikëkalimi i ri kufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi ndodhet në Malësi të Madhe, rreth 60 kilometra nga qyteti i Shkodrës. Hapja e tij u bë të martën në prani të kryeministrave të dy vendeve fqinje, Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe atij të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç.

Pikëkalimi i përbashkët kufitar i Grabomit pritet të lehtësojë komunikimin mes banorëve të zonës malore të Plavës, Gucisë, Kelmendit, komunës së Tuzit dhe asaj të Podgoricës. Ky është pikëkalimi i katërt në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit te Zi, pas Hanit të Hotit, Muriqanit dhe Vermoshit. Ndërtimi i tij është financuar me fondet e Bashkimit Europian.

Duke folur në ceremoninë e hapjes, Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, tha se kazermat dhe bunkerët, që kemi pasur dikur, kanë dëshmuar sikur të ishim në dy planete të ndara, pa komunikim dhe pa miqësi. Pas 30 vitesh, kjo dëshmon se sa të forta janë ato regjime që nuk lejojnë komunikimin e banorëve dhe mallrave.

“Falë përpjekjeve tona të përbashkëta në drejtim të Bashkimit Europian tani kemi këto pika kufitare moderne, që dëshmojnë për miqësinë dhe besimin mes dy shteteve tona dhe, ç’ka është më e rëndësishme, u mundëson qytetarëve të komunikojnë lirshëm, pa pritur dhe pa humbur kohë, në këto pikëkalime. Kjo ngjarje e sotmja, tha kryeministri i Malit të Zi, dëshmon për marrëdhëniet mes dy popujve tanë”, tha kryeministri malazez.

Ndërsa Kryeministri Rama, duke vlerësuar bashkëpunimin për hapjen e pikëkalimit kufitar, shtoi se përsëri qytetarët dhe kamionët do të presin për të kryer kontrolle, gjë që nuk shkon, dhe që të dy vendet duhet t’a ndryshojnë pa humbur kohë.

“Ky është edhe qëllimi i nismës që kemi ndërmarrë në kuadër të Procesit të Berlinit së bashku me Presidentin e Republikës së Serbisë dhe me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, që është një nisëm gjithëpërfshirëse dhe jo përjashtuese. Një nisëm që synon pikërisht këtë; në të gjitha vendet e rajonit tonë, përfshirë edhe Malin e Zi, Kosovën, Bosnjen, njerëzit të ndjehen të lirë, të lëvizin të lirë dhe të gjithë sipërmarrësit të ndjehen me të njëjtin dinjitet, siç ndjehen sipërmarrësit europian kur lëvizin brendapërbrenda BE”.

Kryeministri Rama tha se edhe vendet e rajonit të Ballkanit duhet të përfitojnë nga katër liritë e BE-së.

“Kudo ku ka ura kalimi midis vendeve të BE ndodh pikërisht kështu; nuk ka bariera, nuk ka pritje, nuk ka kontroll dhe identifikim. Dhe, ne këtu, nuk kemi nevojë të shpikim asgjë të re, por të angazhohemi për t’a bërë këtë hapësirë, hapësirën mes dy vendeve dhe hapësirën në të gjithë rajonin, një hapësirë ku sundojnë katër liritë e BE: liria e lëvizjes së njerëzve, e lëvizjes së mallrave, lëvizjes së kapitaleve, e lëvizjes së shërbimeve”.

Puna për hapjen e pikëkalimit të përbashkët kufitar të Grabomit ka nisur që në vitin 2015, me ndërtimin e rrugës, financuar me një fond prej rreth 1 milion eurosh nga Bashkimi Europian.

Vonesa thuajse 5 vjeçare për hapjen e këtij pikekalimit kufitar u shkaktua nga vonesat e palës malazeze për ndërtimni e aksit rrugor që lidh Podgoricën me pikëkalimin kufitar.

Në takimin e përbashkët të dy qeverive, të mbajtur tre vite më parë në qytetin e Shkodrës, mes të tjerash, u ra dakort të punohet për lehtësimin e mëtejshëm të lëvizjes së lirë të mallrave dhe shtetasve si dhe për hapjen e një pikë tjetër të kalimit kufitar, ne Liqenin e Shkodrës. Por, megjithëse kanë kaluar tre vite nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje, ende nuk ka filluar puna përgatitore për hapjen e këtij pikëkalimi kufitar, i cili do të ishte i pesti në kufirin mes dy vendeve fqinje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG