Lidhje

Kosova përballet me zjarre si pasojë e temperaturave shumë të larta


Policia e Kosovës tha të mërkurën se një person ka humbur jetën në fshatin Novosellë të komunës së Malishevës, rreth 40 kilometra larg Prishtinës ndërsa po përpiqej të shuante zjarrin që kishte përfshirë një pjesë të pronës së tij.

Dyshohet se ai vdiq nga tymi. Ngjarja ka ndodhur në ditët kur edhe Kosova nuk është kursyer nga zjarret si pasojë e temperaturave shumë të larta dhe erërave të forta.

Kosova po përballet me zjarret si pasojë e temperaturave shumë të larta
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:08 0:00

Nga rajonet më të goditura janë fshatrat e komunës së Suharekës, rreth 60 kilometra larg Prishtinës.

Drejtor i shërbimeve publike, dhe emergjencve në këtë komunë, Enver Shabani thotë se zjarret janë shkaktuar nga veprimet njerëzore dhe janë zgjeruar temperaturat e larta.

“Është dita e katërt që është duke u zhvilluar zjarri, ka intensitet të ultë dhe kohë pas kohe merr intensitet të lartë por ka dëme të konsiderueshme, nuk mund të flasim në saktësi me shifra se sa është dëmi por një gjë e dimë të vërtetë se nuk flitet më për numër dy shifrorë, do të thotë ka mbi qindra hektarë të djegur dhe natyrisht në këtë moment ka dëme që janë shkaktuar në faunë dhe florë, kemi dëmtime në pisha dhe drunjë halorë dhe gjethorë”, tha ai.

Në shuarjen e zjarreve janë përfshirë edhe qytetarët e fshatit Bukosh të komunës së Suharekës.

Zëdhënësi i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent në Kosovë, Nehat Koçinaj i tha Zërit të Amerikës se aktualisht janë tri zona të goditura nga zjarret që kanë dëmtuar hapësira kryesisht me pyje.

“Zjarri në Bjeshkët e Nemura ende mbetet aktiv dhe më i rrezikshmi në kuptimin edhe të shtrirjes edhe dëmit pastaj zjarri në zonën e komunës së Suharekës, fshatrat Bukosh, Krushicë e Vraniq dhe zjarri të themi më lokal në kuptimin e përmasave është në komunën e Vitisë në lokacionin e Letnicës”, tha ai.

Zoti Koçinaj tha se në shuarjen e zjarreve janë angazhuar të gjitha ekipet emergjente të Kosovës, përfshirë Forcat e Sigurisë. Ai tha se është kërkuar ndihmë edhe nga trupat paqeruajtëse të NATO-s, meqë një pjesë e zjarreve kanë përfshirë zona ku mund të veprohet vetëm nga ajri.

“Kapacitetet shtetërore të angazhuara kanë qenë Forca e Sigurisë së Kosovës dhe kapaciteti i KFOR-it me kërkesë të herë pas hershme me ndihmë apo asistencë nga ajri sepse siç e dini Kosova ende nuk e ka kapacitetin e vet për reagim nga ajri me helikopter ose fluturake tjerë”, tha ai.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se deri më tash ka ndaluar dy persona të dyshuar për zjarrëvënie të qëllimshme. Edhe më tej autoritetet nuk kanë të dhëna të sakta për dëmet e shkaktuara nga zjarret e ditëve të fundit.

XS
SM
MD
LG