Lidhje

Katar, përpjekje diplomatike për paqe në Afganistan


Këtë javë në Katar do të zhvillohen njëri pas tjetrit, dy takime ndërkombëtare me synimin për të detyruar palët ndërluftuese në Afganistan të rifillojnë negociatat e paqes dhe të arrijnë një marrëveshje përpara se konflikti të dalë jashtë kontrollit.

Përpjekjet diplomatike vijnë mes avancimesh domëthënëse në fushën e betejës nga kryengritësit talebanë edhe pse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë sulmet ajrore në mbështetje të forcave qeveritare afgane.

Ky zhvillim pason paralajmërimin e Kombeve të Bashkuara të javës së kaluar se "lufta në Afganistan ka hyrë në një fazë të re, më vdekjeprurëse e më shkatërruese".

Burime diplomatike thane për Zërin e Amerikës se përfaqësuesi i posaçëm amerikan për Afganistanin, Zalmay Khalilzad dhe homologët e tij nga Rusia, Kina dhe Pakistani, do të takohen të mërkurën në kryeqytetin e Katarit, në Doha, nën atë që zyrtarisht njihet si "trojka e zgjeruar".

Grupi, një iniciativë e Moskës, kryen konsultime të rregullta mbi mënyrat për të mbështetur negociatat brenda Afganistanit, për të ndihmuar palët të arrijnë një zgjidhje politike dhe një armëpushim të përhershëm e gjithëpërfshirës.

Burime të besueshme në Ministrinë e Jashtme të Pakistanit i thanë “Zërit te Amerikës” se trojka e zgjeruar do të zhvillojë konsultime përpara se të takojë përfaqësuesit e talebanëve dhe qeverisë së Kabulit në Doha, të angazhuar në negociata për paqe brenda Afganistanit, të cilat po ecin me ngadalë.

Takimi i treshes së zgjeruar do të paraprihet nga një takim të martën me vendet fqinje të Afganistanit. Rusia, Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara janë ftuar gjithashtu në takimin e së martës.

Qëllimi i të dy takimeve do të jetë "gjetja e gjuhës së përbashkët" mes dy kundërshtarëve afganë" në një kohë kur talebanët kanë filluar të pushtojnë kryeqytetet e provincave", thanë burimet e Ministrisë së Jashtme të Pakistanit.

Përpjekjet për paqe vijnë pasi trupat amerikane pritet të largohen nga Afganistani, deri në fund të këtij muaji pas 20 vitesh qëndrimi atje. Bashkë me ta do të tërhiqen edhe trupat aleate të NATO-s.

Tërheqja është një rezultat i një marrëveshje për ndërtimin e paqes që talebanët dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan në shkurt të 2020 gjatë administratës Trump. Por negociatat ndërafgane që rrodhën nga marrëveshja historike kanë ngecur dhe nuk kanë arritur të shënojnë ndonjë përparim të rëndësishëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG