Lidhje

SHBA pranon se situata e sigurisë në Afganistan po përkeqësohet


Pentagon spokesman John Kirby speaks during a media briefing at the Pentagon, July 12, 2021, in Washington.

Zyrtarët thonë se talebanët morën nën kontroll tre kryeqytete të tjera provinciale në Afganistan dhe një bazë lokale të ushtrisë. Kryengritësit tani kontrollojnë rreth 65 përqind të territorit të vendit ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe NATO përfundojnë tërheqjen e tyre pas një lufte 20 vjeçare atje. Rënia e kryeqyteteve të provincave Badakhshan dhe Baghlan në verilindje dhe atij të provincës Farah në perëndim shtoi presionin në rritje mbi qeverinë qendrore të vendit për të frenuar përparimin e talebanëve, edhe pse ajo humbi kontrollin e një baze të madhe ushtarake në Kunduz të mërkurën. Presidenti afgan Ashraf Ghani bëri një vizitë të nxituar në provincën Balkh për të kërkuar ndihmë nga grupet e armatosura për të ndalur përparimin e talebanëve. Provinca tashmë është e rrethuar nga territore të kontrolluara nga talebanët. Ai gjithashtu zëvendësoi shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë afgane.

SHBA pranon se situata e sigurisë në Afganistan po përkeqësohet
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:04 0:00

Ndërkohë, zyrtarët amerikanë tani po e pranojnë se situata e sigurisë në Afganistan po përkeqësohet me shpejtësi. Ata thonë se janë të angazhuar në përpjekjet për të ndaluar dhunën e talebanëve.

Ndërsa dhuna në Afganistan po arrin nivele të reja, veçanërisht ndaj fëmijëve, zyrtarët amerikanë e pranojnë se situata e sigurisë është e zymtë ndërsa forcat amerikane përgatiten të tërhiqen nga vendi deri në fund të këtij muaji.

“Sekretari (i mbrojtjes) ndan shqetësimin e bashkësisë ndërkombëtare mbi situatën e sigurisë në Afganistan, e cila padyshim nuk po shkon në drejtimin e duhur. Sekretari Austin vazhdon të besojë se forcat afgane kanë aftësinë për të bërë një ndryshim më të madh në fushën e betejës", tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

I pyetur për fatin e popullit afgan pas tërheqjes së forcave amerikane, zëdhënësi Kirby tha se kjo është një situatë serioze.

“Por, ky është vendi i tyre. Këto janë forcat e tyre ushtarake. Këto janë kryeqytetet e tyre krahinore dhe njerëzit e tyre që duhen mbrojtur. Dhe kjo vërtetë do të varet nga udhëheqja që ata janë të gatshëm të tregojnë në këtë moment të veçantë", tha zoti Kirby.

E pyetur nëse Presidenti Joe Biden është i zhgënjyer që forcat afgane të sigurisë nuk kanë qenë të afta të përballojnë sulmet e talibanëve, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha:

"Unë nuk mendoj se ne duhet të ndihemi të zhgënjyer. Pikëpamja jonë dhe pikëpamja e presidentit është se tani është koha që ata të përdorin trajnimin, ndihmën, këshillat që u janë dhënë gjatë dy dekadave të fundit."

Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se Presidenti Biden ndeshet me një vendim tjetër të madh.

"Shtetet e Bashkuara tani duhet të marrin një vendim mbi nivelin e angazhimit të tyre në përpjekjet për të parandaluar rënien e Afganistanit në duart e talebanëve. Unë mendoj se fuqia ajrore amerikane është alternativa më e fortë që mund të ndryshojë situatën në terren, është gjëja e parë për të cilën ende nuk kemi marrë një vendim të plotë dhe që mund të ketë një ndikim të madh", thotë eksperti i Insitutit Brookings, Michale O’Hanlon.

Në konferencën e rregullt me gazetarët, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price pranoi të martën gjithashtu se situata e sigurisë po përkeqësohej me shpejtësi, ((Al Jazeera TV)) por tha se ambasadori Zalmay Khalilzad dhe ekipi i tij kanë shkuar në Doha të Katarit për bisedime me talebanët, duke punuar pa pushim për të gjetur një rrugëdalje nga kriza.

"Ai do të ushtrojë trysni mbi talebanët që ata të ndalojnë ofensivën e tyre ushtarake dhe të negociojnë një zgjidhje politike", tha zoti Price.

Disa ekspertë mbështesin këtë përpjekje, por paralajmëruan kundër shpresave të mëdha.

"Unë nuk do të prisja një përparim të madh tani, por mendoj se është një mundësi për të ushtruar presion mbi talebanët dhe gjithashtu për të ndryshuar pritshmëritë", tha Scott Worden nga Instituti Amerikan i Paqes.

Vendimi për çdo përpjekje të mundshme të fundit të Amerikës për të parandaluar rënien e Afganistanit në duart e talebanëve është përgjegjësi e plotë e Presidentit Biden.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG