Talibanët kanë marrë nën kontroll një kryeqytet strategjik krahinor pranë Kabulit, i 10-ti, që bie në duart e kryengritësve gjatë javës së fundit.
Ofensiva që forcat taleban filluan para një jave në të gjithë Afganistanin, vjen vetëm disa javë para përfundimit të misionit ushtarak amerikan atje. Militantët ngritën flamujt e tyre të bardhë mbi qytetin e Ghaznit.
Qyteti është vetëm 130 kilometra në jugperëndim të Kabulit. Dy zyrtarë vendorë i thanë agjencisë Associated Press se luftimet sporadike vazhduan të enjten në një bazë të inteligjencës dhe një bazë tjetër të ushtrisë pranë qytetit.
Marrja nën kontroll e Ghaznit ndërpret lidhjet me një autostradë të rëndësishme që lidh kryeqytetin afgan me provincat jugore të vendit, që janë gjithashtu të kërcënuara. Përparimi i kryengritësve vjen rreth 20 vjet pasi trupat e huaja mbërritën në vend për të rrëzuar qeverinë talebane.