Lidhje

Shqipëri: Studimi, proceset në Gjykatat e Apelit, me vonesa të mëdha prej pandemisë dhe vetingut


Qendra studimore INFOÇIP ka përfunduar një studim në 6 Gjykatat e Apelit të Shqipërisë, ku janë zbuluar vonesa të konsiderueshme të mijëra proceseve gjyqësore.

Shkaqet kryesore të këtyre vonesave janë mbyllja e gjykatave prej pandemisë Covid si dhe mos-zëvendësimi i gjyqtarëve të shkarkuar prej vetingut.

Shqipëri: Studimi, proceset në Gjykatat e Apelit, me vonesa të mëdha prej pandemisë dhe vetingut
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:16 0:00

Autorët e studimit pohuan se viti 2020 ishte viti më i përkeqësuar sa i takon vonesave në proceset gjyqësore, vonesave në zbardhjen e vendimeve dhe në tërësi të eficencës gjyqësore.

Drejtuesi i Qendrës INFOÇIP, Gert Shella, thotë se vonesat u shkaktuan prej mbylljes së gjykatave prej pandemisë për disa muaj, si dhe për shkak të shkarkimit të gjyqtarëve prej procesit të vetingut, madje gjykatat kanë punuar me më pak se gjysmën e trupave gjyqësore.

“Gjykata e Apelit Tiranë, nga 31 gjyqtarë, që duhet të ketë, në vitin 2020 ka punuar me vetëm 9 gjyqtarë, pra me rreth një të tretën e trupës gjyqësore. Një pjesë e këtyre gjyqtarëve të kryeqytetit janë përpjekur të ndihmojnë edhe gjykatat e tjera si për shembull Korçë, e cila ngeli me zero gjyqtarë për shkak të procesit të vetingut, duke thelluar më tej krizën e eficencës gjyqësore” - tha zoti Shella.

Gjatë muajive të parë të vitit të kaluar, Në Gjykatën e Apelit të Tiranës mesatarja e kohëzgjatjes së shqyrtimit gjyqësor të çështjeve të themelit është 496 ditë.

Afro 63 për qind e çështjeve civile dhe 26 për qind e çështjeve penale janë gjykuar për më shumë se 500 ditë, ose afro 17 muaj, ndërsa më pas arsyetimi dhe dorëzimi i vendimeve gjyqësore zgjat një muaj.

Vonesat po përkeqësohen nga viti në vit; në vitin 2016, kur nisi reforma në drejtësi, kohëzgjatja e një procesi ishte 355 ditë, pra afro 12 muaj, ndërsa sot është 496 ditë, ose fro 17 muaj.

Ndërsa koha e zbardhjes së një vendimi është dyfishuar nga 12 në 26 ditë aktualisht.

“Është emergjencë, nëse krahasohen treguesit me vitin 2016, kur reforma në drejtësi edne nuk kishte filluar. Për shembull, Gjykata e Apelit në Tiranë në vitin 2020 i përkeqësoi treguesit e me 39 për qind në krahasim me vitin 2016. Apeli I Durrësit përkeqësoi me 48 për qind, Apeli i Gjirokastrës ka një përkeqësim prej 57 për qind krahasuar me vitin 2017” - tha zoti Shella.

Vonesat janë thelluar ndjeshëm në 9 muajt e parë të 2020 edhe në gjykatat e Apelit të Vlorës, Shkodrës, Durrësit, Korçës e Gjirokastrës.

Në Gjykatën e Apelit të Vlorës gjyqet zgjatën mesatarisht 556 ditë, duke kapërcyer edhe kryeqytetin me vonesat e proceseve. 73 për qind e çështjeve civile 34 për qind e çështjeve penale zgjatin 500 ditë e sipër.

Afro 5 vjet më parë në 2016 mesatarja e zgjatjes së gjyqeve të apelit në Vlorë ishte 315 ditë - afro 10 muaj, ndërsa sot është 556 ditë - 18 muaj.

Në Apelin e Shkodrës gjyqet zgjatin mesatarisht 435 ditë - afro 15 muaj, ose 47 për qind më e përkeqësuar në krahasim me 2016, kur gjyqet mbylleshin për 295 ditë.

Në Apelin e Durrësit proceset zgjaten mesatarisht deri në 388 ditë - 13 muaj, një përkeqësim afro 22 për qind krahasuar me 2019.

Në Apelin e Korçës gjyqet zgjasin 172 ditë,ose 20 për qind më e përkeqësuar vonesa krahasuar me vitin 2016 të nisjes së reformës.

Korça ka një vonesë të madhe në zbardhjen e vendimeve; nga 15 ditë në 2016, 25 ditë në 2019 shkoi në 63 ditë vonesë në 2020.

Në Apelin e Gjirokastrës proceset zgjatin mesatarisht 144 ditë në 2020 krahasuar me 90 - 95 ditë të viteve të mëparshme.

“Gjykata e Apelit në Tiranë në vitin 2020 tërhoqi nga stoku i dosjeve të vitit 2016. Stoku i mbetur përballë kësaj trupe të pakët gjyqësore në kushte pandemie, është midis 13-14 mijë dosje gjyqësore. Situata është kritike dhe e jashtëzakonshme, që kërkon marrjen e masave të jashtëzakonshme" - tha autori i studimit, Gert Shella.

Studiuesit vërejnë se përkeqësimi i vonesave në gjykata si dhe stoqet me mijëra dosje në të tre nivelet e sistemit gjyqësor, shkallë të parë, Apel dhe Gjykatë të Lartë mund të ketë përkeqësuar edhe besimin e qytetarëve tek ky sistem i drejtësisë.

Mbylljet për shkak të pandemisë si dhe shkarkimi i shumë gjyqtarëve e prokurorëve prej vetingut ka vënë në vështirësi qyetarët dhe gjykatat, ku stoku aktual i dosjeve mund të përpunohet në më shumë se një dekadë, nëse vazhdohet me ritmet e tanishme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG