Lidhje

Administrata Biden mbron tërheqjen nga Afganistani


Ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë tërheqjen e personelit të ambasadës në Kabul, administrata Biden mbron tërheqjen nga vendi që është shkatërruar nga lufta. Kritikët thonë se largimi i Shteteve të Bashkuara mund të krijojë një krizë humanitare dhe ta kthejë Afganistanin në një strehë për ekstremistët.

Administrata Biden mbron tërheqjen nga Afganistani
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:30 0:00

Skenat nga Kabuli prej nga ShBA po vazhdon tërheqjen e personelit të tyre po marrin vëmendjen e gjithë botës, ndërsa kryengritësit talebanë janë gati të marrin kontrollin e Afganistanit.

Administrata Biden e mbrojti vendimin për t’u larguar nga vendi pas 20 vitesh dhe nuk priste që talebanët të përparonin me kaq shpejtësi.

“Presidenti vendosi se ishte koha për t’i dhënë fund kësaj lufte për Shtetet e Bashkuara, për të dalë nga mesi i një lufte civile në Afganistan dhe për t’u siguruar që ne po ndjekim interesat tona në të gjitë botën. Kjo është ajo që po bëjmë“, tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.

Disa ligjvënës republikanë nuk po kritikojnë vetëm administratën Biden. Ata fajësojnë edhe administratën e ish Presidentit Donald Trump për vendimin e tërheqjes së plotë nga Afganistani deri në maj 2021, një afat që Presidenti Biden e shtyu deri në gusht.

Kritikët gjithashtu thanë se mënyra se si administrata po kryen tërheqjen, dobëson imazhin e ShBA-së në skenën ndërkombëtare.

Udhëheqësi republikan i Senatit Mitch McConnell tha në një deklaratë të dielën se terroristët dhe kundërshtarët po shohin “momentin e pakëndshëm në të cilën e gjen veten një superfuqi”.


“Do të ketë pasoja jo vetëm për Afganistan, jo vetëm për ne në Afganistan, jo vetëm për luftën kundër terrorizmit, por edhe për rolin e Amerikës në botë. Në atë masë që kundërshtarët e dinë se mund të na kërcënojnë, ndërsa aleatët po pyesin këtë mëngjes se ‘a mund të mbështeten më tek ne’”, thotë ligjvënësja republiane Liz Cheney.

Sekretari Blinken tha se frika është e madhe se talebanët, të cilët udhëhoqën vendin me një qeveri funamentaliste islamike nga viti 1996 e deri në rrëzimin e saj më 2001, do të vendosë sërish rregulla të ashpra për gratë dhe të tjerët.

Ai shtoi se i takon komunitetit ndërkombëtar të ndihmojë popullin e Afgansitanit, ndërsa tha se një qeveri që mbështet të drejtat themelore është në interesin e vetë talebanëve.

“Nëse ata kanë pushtetin, por nuk e bëjnë këtë, atëherë unë mendoj se Afganistani do të izolohet nga komuniteti ndërkombëtar”, tha Sekretari Blinken.

Sipas një sondazhi të kryer në muajin korrik nga Këshilli i Çikagos për Çështjet Globale, 70 për qind e amerikanëve e mbështesin vendimin për t’u tërhequr.

Mbetet për t’u parë nëse marrja e shpejtë e kontrollit të kryeqytetit nga Talebanët do të ndryshojë mendimin e amerikanëve për planin e presidentit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG