Lidhje

Sondazhi: Lufta në Afganistan jopopullore mes tërheqjes kaotike


Një shumicë e konsiderueshme amerikanësh nuk besojnë se ia vlente të zhvillohej lufta në Afganistan ndërsa janë më të ndarë mbi trajtimin e politikës së jashtme dhe çështjeve të sigurisë kombëtare nga ana e Presidentit Joe Biden. Gjetjet kanë dalë nga një sondazh i agjencisë së lajmeve “Associated Press” dhe Qendrës Kërkimore NORC.

Rreth dy të tretat thonë se nuk mendojnë se ia vlente të zhvillohej lufta më e gjatë në të cilën janë përfshirë SHBA-të jashtë vendit. Ndërkohë, 47% e tyre e mbështesin mënyrën se si Presidenti Biden i ka menaxhuar çështjet ndërkombëtare dhe 52% i japin atij mbështetje mbi çështje të sigurisë kombëtare.

Sondazhi u krye mes datave 12 deri në 16 gusht ndërsa lufta dydekadëshe në Afganistan përfundoi me rikthimin e talebanëve në pushtet dhe kapjen e kryeqytetit të vendit, Kabulit. Zoti Biden është përballur me kritika nga të dyja palët në Uashington për nxitjen e një krize humanitare, duke qenë i papërgatitur për shpejtësinë e përparimit të grupit taleban.

Presidenti e ka qëndruar vendimit të tij për t'u larguar nga Afganistani, dhe ka këmbëngulur se nuk do të lejojë që lufta të vazhdojë pafundësisht gjë me të cilën sipas tij pajtohen shumë amerikanë.

Rreth dy të tretat sugjerojnë se dhe lufta në Irak që përkoi me Afganistanin ishte një gabim. Republikanët kanë disi më shumë gjasa se demokratët të thonë se luftërat në të dy vendet duheshin zhvilluar. Rreth 4 në 10 republikanë thonë po, krahasuar me rreth 3 në 10 demokratë.

Rreth gjysma e amerikanëve thonë se janë jashtëzakonisht ose shumë të shqetësuar për kërcënimin që paraqesin ndaj Shteteve të Bashkuara grupet ekstremiste që ndodhen jashtë vendit, rreth një e treta kanë një shqetësim normal. Vetëm rreth 1 në 10 amerikanë thonë se nuk janë të shqetësuar.

Por rreth 20 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit që nxitën luftën në Afganistan, një numër më i madh amerikanësh thonë se sipas perceptimit të tyre kërcënimet kryesore ndaj sigurisë kombëtare vijnë nga brenda vendit.

Rreth dy të tretat thonë se janë jashtëzakonisht ose shumë të shqetësuar për kërcënimin që vjen nga grupeve ekstremiste brenda Shteteve të Bashkuara. Rreth një e katërta janë disi të shqetësuar dhe rreth 1 në 10 nuk janë të shqetësuar.

Republikanët dhe demokratët i shohin kërcënimet që paraqesin grupet ekstremiste jashtë Shteteve të Bashkuara në mënyrë të ngjashme: rreth gjysma janë jashtëzakonisht ose shumë të shqetësuar. Por demokratët kanë më shumë gjasa sesa republikanët të jenë shumë të shqetësuar për kërcënimin që paraqesin grupet ekstremiste, 75% me 57%.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG