Lidhje

Blinken: Vaksinat që SHBA i kanë dhënë Kosovës përfaqësojnë lidhjen e fortë mes dy popujve


Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha të premten se lidhjet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë të palëkundura. Në një postim në Twitter në lidhje me dorëzimin e 35 mijë e 100 dozave të vaksinës Pfizer në Prishtinë, Sekretari Blinken tha "Dërguar përmes programit COVAX, dhurata përfaqëson vlerat tona të përbashkëta dhe lidhjet e palëkundura mes dy popujve tanë. Së bashku ne mund ta mposhtim Covid-19".

Në një ceremoni të posaçme në Prishtinë, Shtetet e Bashkuara i dorëzuan Kosovës 35 mijë e 100 doza të vaksinës kundër COVID-19, pjesë e 500 mijë vaksinave që ka ndarë presidenti amerikan Joe Biden për Kosovën.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, thanë gjatë ceremonisë se vlera e dhurimit shkon përtej numrave dhe rikonfirmon miqësinë e fortë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

“Isha e bindur që presidenti Biden, siç e ka dëshmuar historikisht do ta kuptonte drejt dhe do të bashkëndjente me një situatë të tillë meqë administrata e tij e ka vaksinimin prioritet që nga dita e parë e qeverisjes dhe e kupton qartë rëndësinë e këtij procesi jo vetëm për Shtetet e Bashkuara por për çdo cep të globit. Institucionet tona në ndërkohë përveç kontratës me kompaninë Pfizer siguruan edhe vaksina tjera por mbi të gjitha ne morëm përgjigjën pozitive nga presidenti Biden për mbi 500 mijë vaksina si donacion i SHBA-ve, kontigjentin e parë të cilën po e pranojmë sot”, tha presidentja, Vjosa Osmani.

SHBA, 35 mijë e 100 vaksina për Kosovën
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:15 0:00

“Tani kur po përballemi me valën më dramatike të virusit korona, me variantin Delta, po pranojmë kontingjentin e parë prej 35 mijë e 100 doza të vaksinës nga 500 mijë sosh sa do të vijnë donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendi ynë është mirënjohës dhe falënderues për mbështetjen e vazhdueshme dhe solidaritetin nga të gjithë e veçanërisht nga miqtë dhe aleatët tanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha kryeministri, Albin Kurti.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett tha se që nga shfaqja e pandemisë, Shtetet e Bashkuara përveç vaksinave ka ndarë edhe afër 4 milion dollarë për të mbështetur qytetarët e Kosovës në fusha të ndryshme.

“Kjo dhuratë nga qytetarët amerikanë, është donacioni më i madh i vaksinave për Kosovën nga çdo vend apo organizatë. Kur të përfundojë, donacioni amerikan do të sjellë në mbi 700 mijë numrin e dozave të dhëna përmes mekanizmit COVAX, nismës globale për të siguruar vaksina të sigurta dhe efektive. Me dhurimin prej 2 miliardë dollarësh për COVAX, Shtetet e Bashkuara janë kontribuuesi më i madh në këtë mekanizëm”, tha ambasadori Kosnett.

Autoritetet vendase dhe ndërkombëtare bën thirrje ndërkaq për vaksinim në masë si mënyrë për të përballuar më lehtë pandeminë COVID-19.

Deri më tash në Kosovë sipas institucioneve janë vaksinuar rreth 450 mijë persona, prej të cilëve rreth 233 mijë me dy doza ta vaksinës.

Që nga fillimi i këtij muaji, Kosova po përballet me një valë të re të përhapjes së infektimeve. Për tri ditë me radhë mbi 2 mijë persona janë konfirmuar të infektuar ndërkaq është rritur edhe numri i atyre që kanë humbur jetën.

Autoritetet në Kosovë konfirmuan të premten se gjatë 24 orëve të fundit, katër persona kanë humbur jetën nga pasojat e COVID-19 ndërsa janë konfirmuar 2 mijë e 250 raste të reja të të prekurve nga virusi, që është dita me numrin më të madh të të infektuarve gjatë këtij viti.

Sipas të dhënave të përpunuara nga Zëri i Amerikës, vetëm gjatë 20 ditëve të muajit gusht janë regjistruar 16 mijë e 762 raste të reja të të prekurve nga COVID-19.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG