Lidhje

Kosovë, 8 viktima nga koronavirusi


Kosovë
Kosovë

Autoritetet në Kosovë konfirmuan të shtunën se gjatë 24 orëve të fundit, tetë persona kanë humbur jetën nga pasojat e COVID-19.

Po ashtu brenda 24 orëve janë konfirmuar 2 mijë e 279 raste të reja të të prekurve nga virusi, që është dita me numrin më të madh të të infektuarve gjatë këtij viti.

Infektimet janë shtrirë gjithandej Kosovës dhe shifrat e ditëve të fundit e bëjnë gushtin një nga periudhat më të rënda që nga shpërthimi i pandemisë.

Që nga 1 gushti deri më sot janë konfirmuar mbi 19 mijë raste të reja.

Për katër ditë me radhë mbi 2 mijë persona janë konfirmuar të infektuar ndërkaq është rritur edhe numri i atyre që kanë humbur jetën. Gjatë këtij muaji janë regjistruar 49 vdekje nga pasojat e COVID-19.

Rritja e hovshme e numrit të infektimeve po sfidon edhe mundësitë e sistemit shëndetësor të vendit. Para një muaji në spitalet që trajtojnë rastet me COVID-19 në Kosovë ishin të shtrirë 82 të infektuar, ndërkaq sot sipas Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar në këto spitale janë të shtrirë 653 pacientë të konfirmuar me COVID-19, prej të cilëve 26 në gjendje të rëndë shëndetësore.

Autoritetet shëndetësore thonë se pjesa më e madhe janë të prekur nga varianti ngjitës Delta i koronavirusit dhe po bëjnë thirrje për vaksinim në masë.

Deri më tash në Kosovë sipas institucioneve janë vaksinuar rreth 466 mijë persona, prej të cilëve rreth 236 mijë me dy doza ta vaksinës.

XS
SM
MD
LG