Lidhje

Tepelenë, shënohet Dita evropiane e viktimave të regjimeve totalitare


Autoriteti i Dosjeve dhe Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë Antikomunistë shënuan sot (e hënë) në ish-kampin e internimit në Tepelenë, Ditën europiane të Viktimave të Regjimeve Totalitare. Ish të internuar dhe familjarë të tyre nderuan mbi 500 viktimat e këtij ish-kampi, pjesa më e madhe e të cilëve ishin fëmijë. Autoriteti i dosjeve mbajti në Tepelenë edhe një sesion të posaçëm për gjetjen e eshtrave të viktimave të komunizmit duke paraqitur një udhërrëfyes ligjor për familjarët që janë në kërkim të tyre.

Tepelenë, shënohet Dita evropiane e viktimave të regjimeve totalitare
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:34 0:00

Mide Sefa erdhi dy vjeç e gjysëm në ish-kampin e internimit të Tepelenës dhe u largua pas pesë vitesh duke përjetuar një kalvar të tërë vuajtjesh dhe tmerresh që ajo i kujton mirë edhe sot. Midja rrëfen për Zërin e Amerikës nga ish kampi ku gjendet për herë të parë pas gati 70 vitesh.

"Kemi parë tortura çnjerëzore, barbare. Këtu pesë vjet s`kemi parë zjarr me sy, në shi dhe borë. Buka e mykur, gjella me krimba. U sëmurën njerëz, ra tifo,ra dizanteria,ra zgjebja. Vizita s`kishte, kontrolle s`kishte, pastërti s`kishte”.

Midja kujton se jeta ishte e pasigurt në çdo cep të kampit edhe prej minave që kishin ngelur nga ushtria italiane që kishte përdorur kazermat para se ato të ktheheshin në kamp internimi.

Kemi hequr shumë,kemi vuajtur shumë. Kur iknin gratë të lanin rroba binin në mina dhe bomba ,bëheshin njerëzit copa copa. Gratë qanin dhe fëmijët i pushtonte tmerri”.

Por ndërsa Midja dhe nëna e saj dolën gjallë nga kampi, Seit Petrela i humbi të dy prindërit tek makina e autokolonës ushtarake ra në greminë kur transportonte një grup të internuarish nga Berati në Tepelenë. Katër fëmijë mbetën jetimë ndërsa Seiti atëherë foshnjë nuk u ndjeu kurrë ngrohtësinë prindërore por me forcën e dinjitetit e përballoi jetën.

Rrugës duke ardhur nga Berati në Tepelenë, nga rruga e vjetër, makina ku ishim unë me prindërit e mij dhe familjen time gremiset dhe nga ky aksident të dy prindërit e mi ndërruan jetë”.

Kryetari i Shoqatës së të përndjekurve politikë Nebil Cika thotë se kampi i internimit në Tepelenë ishte një kamp ferri ku humbën jetën qindra fëmijë dhe të moshuar shumë prej të cilëve nuk u janë gjetur dhe sot eshtrat.

Kampi i Tepelenës është simboli të paktën në konceptin tonë i gjenocidit që diktatura komuniste ushtroi ndaj kombit,ndaj popullit shqiptar për 45 vjet”.

Autoriteti i Dosjeve i ka kushtur këtë vit një ekspozitë dhe një sesion të posaçëm të mbajtur në Pallatin e Kultures në Tepelenë kërkimit të eshtrave të të zhdukurve gjatë regjimit komunist. Simon Mirakaj nga Autoriteti i Dosjeve tha se gjatë këtyre 30 viteve mijëra familje shqiptare jane në kërkim të të afërmve të tyre, të zhdukur gjatë komunizmit.

Mbi 30 vjet,krijo komisione, krijo taks- forcë. Këta njerëz që i bënë këto krime qenë mes nesh dhe nuk i vrau ndërgjegjia”.

Gjate sesionit ku kanë qenë edhe përfaqësues nga prokuroria dhe policia është paraqitur edhe një ushqerrëfyes për familjarët e personave të zhdukur gjatë periudhës së komunizmit. Udhërrefyesi i hartuar me ndihmën e ICMP (Institucionit Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur) përmban bazën ligjore, institucionet dhe udhëzime praktike për familjet që janë në kërkim të eshtrave të të afërmve që u vranë nga regjimi komunist.

Drejtuesja e Autoritetit të Dosjeve Gentiana Sula tha se disa hapa janë hedhur dhe përpjekjet do të vijojnë për këtë proçes ku është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi aktorëve përgjegjës.

Kampi i Tepelenës funksionoi në Shqipëri nga maji 1949 deri në vitin 1954 dhe në këtë kamp u vendosën rreth 1500 familje: burra, gra, të moshuar dhe fëmijë. Sipas të dhënave mbi 500 persona humbën jetën në këtë kamp nga të cilët rreth 300 ishin fëmijë të cilët kujtohen sot nën simbolikën e 300 qiparizave të mbjellë në sheshin para kazermave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG