Lidhje

Nënpresidentja Harris në Vietnam, pas një vonese disa orëshe


Kamala Harris

Udhëtimi i Nënpresidentes amerikane Kamala Harris nga Singapori në Vietnam u shty për disa orë të martën nga një hetim mbi një rast të mundshëm të të ashtuquajturit Sindromi Havana. Lajmi u bë i ditur nga zyrtarë të ambasadës në Hanoi, të cilët nuk dhanë detaje të mëtejshme.

Hetimi ndodhet në fazat e hershme, por zyrtarët e konsideruan të sigurt ndalesën e planifikuar të Nënpresidentes Harris në Vietnam, pjesë e turneut të saj në Azi për të siguruar aleatët për politikën e jashtme amerikane mes vështirësive qëpo hasin forcat amerikane në evakuimin e civilëve nga Afganistani. Sindromi Havana është emri për një gjendje shëndetësore që shoqërohet me skuqje misterioze të lëkurës, të raportuara për herë të parë nga diplomatët amerikanë dhe punonjës të tjerë të qeverisë në kryeqytetin e Kubës duke filluar në vitin 2016.

Mbetet ende e paqartë se kush është prekur nga sindromi. Sipas një zyrtari që nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht për këtë çështje, asnjë anëtarë i personelit të Nënpresidentes ose Shtëpisë së Bardhë nuk ishte prekur prej tij.

Ambasada amerikane në Hanoi lëshoi një deklaratë duke thënë se vonesa ishte shkaktuar pasi zyra e Nënpresidentes Harris mori njoftimin mbi një "incident të mundshëm anormal mbi shëndetin" në kryeqytetin vietnamez. Ambasada nuk dha hollësi, por tha se zyra e Nënpresidentes Harris vendosi të udhëtonte në Hanoi "pas një vlerësimi të kujdesshëm" të situatës.

Qeveria amerikane përdor shprehjen "incident shëndetësor anormal" për të përshkruar sindromën Havana. Disa nga personat e prekur nga sindromi në të kaluara kanë raportuar se kanë dëgjuar një tingull të fortë shpues dhe kanë ndjerë presion të fortë në fytyrë. Kjo në disa raste është pasuar me dhimbje dhe marrje të mendve.

Që nga ajo kohë janë njoftuar sëmundje të ngjashme, të pashpjegueshme nga amerikanë që shërbejnë në vende të tjera, përfshirë Gjermaninë, Austrinë, Rusinë dhe Kinën. Një sërë teorish janë hedhur për të shpjeguar incidentet, duke përfshirë teorinë e sulmeve me mikrovalë ose atyre sonike, ndoshta si pjesë përpjekjeve të spiunazhit ose hakerimit.

Veçanërisht alarmante janë njoftimet për të paktën dy incidente të mundshme në zonën e Uashingtonit, përfshirë një rast pranë Shtëpisë së Bardhë në Nëntor, në të cilin një zyrtar raportoi të ketë patur marramendje. Zyrtarët e administratës kanë spekuluar se Rusia mund të jetë e përfshirë në këto incidente, një sugjerim që Moska e ka mohuar.

Harris pritej të nisej drejt Hanoit të martën në mbrëmje pas një fjalimi që mbajti në Singapor, duke kritikuar Kinën për ndërhyrjet e saj në Detin e Kinës Jugore dhe një diskutimi mbi çështjet e zinxhirit të furnizimit me drejtues të bizneseve.

Por fluturimi i saj u vonua për më shumë se tre orë dhe zëdhënësja e Nënpresidentes Harris, Symone Sanders nuk pranoi të jepte arsyet. Ajo pastaj tha se Harris ishte "mirë" edhe pse gazetarët e kishin parë Nënpresidenten disa herë të martën dhe nuk kishin arsye të shqetësoheshin për shëndetin e saj.

Kongresi ka lëshuar alarmin për sulme të tilla, duke gjetur mbështetje të rrallë dypartiake në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat për hetimin e vazhdueshëm të sindromës.

Administrata e Presidentit Biden po përballet sërish me presion për të zgjidhur misterin pasi numri i rasteve të raportuara të sulmeve të mundshme është rritur ndjeshëm. Por shkencëtarët dhe zyrtarët qeveritarë nuk janë ende të sigurt se kush mund t’i ketë kryer sulmet. Ata pritet ende të sqarojnë nëse bëhet vërtet fjalë për sulme apo simptoma të shkaktuara pa dashje nga pajisjet e monitorimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG