Në Tiranë, kryeministri Edi Rama, bëri të ditur sot se do të shpallë javën tjetër qeverinë e re socialiste, pasi fitoi një mandat të tretë qeverisës në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.
Zoti Rama theksoi në një deklaratë para kabinetit qeveritar se fitorja e zgjedhjeve ishte një vlerësim nga qytetarët për mënyrën si u përball kriza e tërmetit dhe pandemisë.
Ndërsa në marrëdhëniet ndërkombëtare, krahas ambicjeve për integrim në Bashkimin Europian, zoti Rama shtoi se qeveria e re do të vazhdojë angazhimet me nismën e “Ballkanit të Hapur”.
Por, opozita reagoi pas fjalës së tij se krimi dhe korrupsioni po bashkëjetojnë me qeverisjen dhe se socialistët përsëritën sot arritjet imagjinare me mashtrime të vjetra.
Sipas kryeministrit Rama, tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemia që nisi në pranverën e 2020 ndryshuan me forcë përparësitë e qeverisjes në mandatin e dytë, por ato u përballën me përkushtim dhe profesionalizëm.
Ai theksoi se për këto dy sfida ekstreme vazhdon puna e gjithë strukturave qeveritare, dhe një mandat i tretë qeverisës, që erdhi nga zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit si një vlerësim për socialistët, si dhe po i shtyn ata për më shumë rezultate me rindërtimin dhe vaksinimin, për të cilat javën e ardhshme do të shpallet një kabinet i ri qeveritar.
“Qeveria e re do të shpallet javën e ardhshme dhe ju natyrisht do të vijoni të gjithë punën deri në minutën e kalimit të detyrës, pa lënë asnjë ditë të shkojë kot. Fatmirësisht kemi një skuadër kampione ku ka shumë zgjedhje për çdo rol dhe kampionati 4-vjeçar që ka nisur të nesërmen e zgjedhjeve të fundit kërkon jo vetëm një formacion të mirë qeverisës, një kryesi të mirë të grupit parlamentar, apo një kryesi efektive të vetë partisë, por edhe një stol rezervash të gjatë, siç i thonë në sportet kolektive, për të pasur në vijimësi mundësi energjizimi të skuadrës” - pohoi zoti Rama.
Por kryetari i opozitës Lulzim Basha, shkroi në Twitter menjëherë pas fjalës së kryeministrit Rama, se këto ishin mashtrimet e vjetra të një regjimi, që masakroi zgjedhjet për të vazhduar vjedhjen e Shqipërisë.
Zoti Basha theksoi se “mafia, krimi dhe korrupsioni po vazhdojnë ortakërinë me qeverinë socialiste, po varfërojnë dhe po largojnë shqiptarët nga atdheu, të braktisur edhe në kohë pandemie me numrin më të lartë të vdekjeve në raport me popullsinë në Europë dhe paketat më të vogla ekonomike në kontinent, integrimi në të cilin mbahet peng nga dështimet e njëpasnjëshme”.
Por kryeministri Rama pohoi se qeveria i përmbushi të gjithë kushtet për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian dhe hapi një kapitull të ri në politikën rajonale me "Ballkanin e Hapur", që sipas tij, nuk është asgjë tjetër, përveçse Procesit të Berlinit me një shpejtësi të re dhe me një përgjegjësi të re.
“Polemikat për "Ballkanin e Hapur" dhe akuzat e hatashme ndaj kësaj qeverie dhe meje personalisht, qoftë nga Prishtina, qoftë nga Tirana, nuk më shqetësojnë fare dhe nuk duhet të na shqetësojnë aspak si forcë qeverisëse në mandatin e tretë. Ka shumë tym dhe shumë zjarr të ndezur për qëllime të politikës së ditës, por qeveria e re do të vazhdojë përpara edhe në këtë drejtim, pa humbur asnjë ditë të vetme, ndërkohë që ka besim se me qeverinë e Kosovës do të bëjmë plot punë të mira me interes të përbashkët, pavarësisht mosdakordësisë së kolegëve në Kosovë me Ballkanin e Hapur” - deklaroi zoti Rama.
Por qeveria e Kosovës ka vlerësuar se nisma “Ballkani i Hapur”, ku janë përfshirë vetëm Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, ngjan më shumë me një Ballkan të hapur për ndikimet nga Lindja.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se “Ballkani i Hapur” ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse, por edhe nga Kina si dhe Ballkan i hapur për autokracinë, Ballkan i hapur për korrupsionin, Ballkan i hapur për kriminelët e luftës të cilët, vazhdojnë të jenë masivisht, jo vetëm të lirë në Serbi, por jo pak prej tyre edhe në pushtet”, duke shmangur ballafaqimin me të kaluarën.
Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut synojnë të heqin kontrollet kufitare mes tyre për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave duke filluar nga 1 janari i vitit 2023. Kosova ka refuzuar të marrë pjesë në këtë nismë.
As ideja e “Mini-Shengenit" Ballkanik, që u paraqit në Novi Sad të Serbisë në tetor të vitit 2019, e as tani nisma “Ballkani i Hapur” asnjëherë nuk ka siguruar mbështetje të rëndësishme në Kosovë, por as në Mal të Zi e as në Bosnje, tri nga gjashtë vendet e rajonit të Ballkanit që aspirojnë integrimet europiane.
Facebook Forum