Lidhje

Guvernatorja e re e Nju Jorkut nxjerr shifra të reja më të larta për vdekjen nga COVID-19


Guvernatorja e re e Nju Jorkut, Kathy Hochul pranoi se në këtë shtet ka pasur afro 12,000 vdekje më shumë nga COVID-19 sesa ishte publikuar nga paraardhësi i saj, Andrew Cuomo.

Në një njoftim të postuar në faqen e saj zyrtare të internetit të martën vonë, zyra e guvernatores njoftonte se në Nju Jork kishin vdekur 55,395 persona nga COVID-19 bazuar në të dhënat e certifikatave të vdekjes të paraqitura në Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), krahasuar me 43,415 që zoti Cuomo i kishte raportuar publikut deri të hënën, dita e tij e fundit në detyrë.

Të dy numrat janë postuar. Një shpjegim pason shifrën më të lartë, duke thënë se aty "numërohen ata që kanë vdekur në çdo vendndodhje, përfshirë spitalet, shtëpitë e të moshuarve, shtëpi, dhe mjedise të tjera."

"Ne tani po publikojmë më shumë të dhëna sesa ishin lëshuar më parë, në mënyrë që njerëzit ta dinë se vdekjet në shtëpitë e të moshuarve dhe ato në spital janë në përputhje me të dhënat që ka nxjerrë CDC-ja," shpjegoi zonja Hochul gjatë një interviste me kanalin MSNBC të mërkurën.

Guvernatorja Hochul futi të hënën në fuqi një politikë për mbajtjen e detyrueshme të maskave për të gjitha shkollat e Nju Jorkut, publike dhe private.

Hochul bëri betimin të martën pasi zoti Cuomo u largua nga detyra. Ai dha dorëheqjen i përballur me mundësinë e shkarkimit për shkak të akuzave për ngacmim seksual.

XS
SM
MD
LG