Lidhje

18 të vdekur nga pasojat e COVID-19 në Kosovë


Në Kosovë autoritetet thanë se 18 veta kanë humbur jetën në 24 orët e fundit nga pasojat e COVID-19 ndërsa janë konfirmuar 2295 raste të të prekurve nga koronavirusi.

Kjo është edhe dita më e rëndë gjatë këtij muaji me numrin e viktimave si pasojë e COVID-19. Vetëm gjatë muajit gusht, 122 persona kanë humbur jetën ndërsa janë regjistruar rreth 29,000 infektime të reja.

Rritja e hovshme e numrit të infektimeve, ka rritur edhe numrin e personave që janë shtrirë në spitalet e vendit.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar bëri të ditur të enjten se në spitalet dhe klinikat e Kosovës janë të shtrirë 995 pacientë të konfirmuar me COVID-19, prej të cilëve 935 me oksigjeno-terapi ndërsa 37 në gjendje të rëndë shëndetësore.

Që nga marsi i vitit 2020 në Kosovë janë konfirmuar afër 135,000 të prekur nga COVID-19, nga pasojat e të cilit kanë humbur jetën 2370 vetë.

Nga 20 gushti, qeveria vendosi masa të reja kufizuese përfshirë ndalimin e dasmave e ahengjet dhe shkurtimin e orarit të punës së kafeneve e restoranteve ndërsa po bën thirrje për vaksinim në masë të qytetarëve për të parandaluar rastet e vdekjes nga koronavirusi.

Deri sot në Kosovë 260 mijë vetë janë vaksinuar me dy doza ndërsa në tërësi janë vaksinuar 515 mijë qytetarë apo 40 për qind e moshës mbi 18 vjeç.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG