Lidhje

36 viktima nga koronavirusi në Kosovë. Qeveria thërret mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare


Autoritetet në Kosovë thanë se 36 veta kanë humbur jetën në 24 orët e fundit nga pasojat e COVID-19. Kjo është edhe dita më e rëndë me viktima që nga shfaqja e pandemisë në mesin e muajit mars të vitit të kaluar.

Po ashtu brenda 24 orëve janë konfirmuar 1 mijë e 630 raste të reja të të prekurve nga virusi.

Që nga muaji mars i vitit 2020, në Kosovë kanë vdekur 2 mijë e 457 veta si pasojë e COVID-19 ndërsa janë regjistruar 142 mijë e 671 raste të të prekurve nga koronavirusi.

Prej tyre, vetëm gjatë muajit gusht, 192 persona kanë humbur jetën ndërsa janë regjistruar rreth 34 mijë infektime të reja.

Infektimet janë shtrirë gjithandej Kosovës dhe shifrat e ditëve të fundit e bëjnë gushtin një nga periudhat më të rënda që nga shpërthimi i pandemisë. Autoritetet thonë se varianti Delta i COVID-19 është një nga shkaktarët kryesorë e përhapjes së vrullshme të virusit ndërsa në këtë valë nuk po kursehen as moshat e reja. Gjatë 24 orëve, katër persona të moshës prej 20 deri 39 kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19.

Në përpjekje të frenimit të përhapjes së COVID-19, qeveria e Kosovës pritet që gjatë ditës të thërras një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Kjo mbledhje vjen një ditë pasi që qeveria vendosi masa të reja kufizuese, duke përfshirë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00, shtyrjen e fillimit të vitit të ri shkollor nga një shtatori për 13 shtator, shkurtimin e orarit të punës për baret dhe restorantet, që në bazë të vendimit të qeverisë do të mund të punojnë vetëm në hapësirat e jashtme.

Po ashtu, të gjithë personat që do të hyjnë në Kosovë, pavarësisht shtetësisë, duhet të ofrojnë dëshmi për vaksinim apo teste PCR dhe antigen, në të kundërtën duhet të izolohen për shtatë ditë.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar bëri të ditur të dielën se në spitalet dhe klinikat e Kosovës janë të shtrirë një mijë e 139 pacientë të konfirmuar me COVID-19, prej të cilëve 1 mijë e 60 me oksigjeno-terapi ndërsa 61 në gjendje të rëndë shëndetësore.

XS
SM
MD
LG