Lidhje

Kosovë: Dita ndërkombëtare e të zhdukurve


Kosovë: Dita ndërkombëtare e të zhdukurve
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:01 0:00

Me pesë prill të vitit 1999, në fshatin Rrezallë, rreth 50 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe ekzekutuan 40 shqiptarë brenda një dite. Në mesin e tyre edhe 13 antarë të familjes së Vesel Rukollit, atëbotë 32 vjeçar.

“Të gjithë burra e gra i kanë marrë në lagje nga shtëpitë e tyre dhe i kanë sjellur në këtë shtëpinë këtu, i kanë mbajtur nga mëngjesi deri në mbrëmje. Në mbrëmje i kanë ndarë meshkujt të gjithë dhe i kanë vendosur në këtë vend ku jemi, familjet e tyre gra e fëmijë i kanë nisur në drejtim të Likocit”, rrëfen Veseli.

Një pjesë e këtyre trupave u gjetën pas luftës në një varrezë masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi. Por, në mesin e tyre nuk ishte babai i Veselit, Dibran Rukolli, për të cilin nuk u mor vesh asgjë për 22 vjet pas luftës.

“Po na mungon, ne gjithmonë jemi në pritje, jemi në ankth. Për ne është e rëndë, derisa të gjindet trupi i fundit, jo vetëm të Rezallës, por të të gjithë Kosovës, të gjithë shqiptarët”, thotë Veseli.

Në maj të këtij viti, u përmbyll procesi i gërmimeve në një lokacion në Kizhevak të Rashkës, në Serbinë jugperëndimore, ku janë zbuluar nëntë trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Veseli thotë se si familje kanë marrë njoftimin paraprak nga autoritetet se është gjetur trupi i babait të tij, por ende janë në pritje të konfirmimit përfundimtar.

“Aty na kanë premtuar që janë të Rezallës, janë komplet tanët sipas të gjitha gjasave siç na kanë thënë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Por ne prap nuk i besojmë Serbisë pa dalur me emra e mbiemra të gjithë. Nuk i besojmë sepse Serbia gjithçka ka bërë dhe mund ta mohojë sërish ndonjë”, thotë ai.

Veseli thotë se është shumë i zhgënjyer me drejtësinë vendore dhe atë ndërkombëtare për mos ndëshkimin e krimeve të luftës, ndërsa nënvizon se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk kanë kuptim pa u trajtuar këto krime..

“Unë do t’I bëja apel bashkësisë ndërkombëtare por edhe tanëve që mos të heshtin. Qe 22 vjet këta po duken sikur janë në gjumë, të gjitha qeveritë për të zhdukurit kanë bërë shumë pak. E kanë lehtë, le të vijnë të vizitojnë Rezallën dhe prej këtu le të nisen për të shkuar në bisedime”, thotë ai.

Marigona Shabiu, nga Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se viti 2021 ka shënuar përparim të vogël në zbardhjen e fatit të të pagjeturve, por ky proces është shumë i ngadalshëm.

“Në rend të parë është situatë shumë e rëndë për familjarët sepse agonia e pritjes po vazhdon dhe ka shumë hapa të ngadalshëm e nuk ka intensitet të punës rreth gjetjes së këtyre personave, posaçërisht kohëve të fundit për arsye politike është bllokuar në njëfarë mënyre procesi, duke qenë se grupet qeveritare për personat e zhdukur në Kosovë e Serbi, për një kohë të gjatë nuk janë takuar”, thotë ajo.

Sipas të dhënave të kësaj organizate, deri tash në gjykatat në Kosovë, Serbi dhe në Tribunalin e Hagës, janë dënuar gjithsej 66 persona për krime të luftës, 38 prej tyre shqiptarë, 27 serbë dhe 1 rom.

Me ndryshimet e fundit në Kodin e Procedurës Penale në Kosovë, janë mundësuar edhe gjykimet në mungesë të atyre që kanë kryer krime lufte në Kosovë. Por, zonja Shabiu thotë se kjo metodë do të ofrojë drejtësi gjysmake.

“Në mungesë ndoshta të mekanizmave të tjerë, mund të jetë një hap i cili sadopak do të ndihmojë në vendosjen e drejtësisë, ose do të ndihmojë në procesin e shërimit të plagëve për familjarët por që prap është problematike. Tash do të shohim kur të fillojnë proceset e para gjyqësore me këtë procedurë të re, se si do t’i presin familjarët këto gjykime”, thotë ajo.

Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre.

Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e rreth 800 shqiptarëve të Kosovës.

Edhe 22 vjet pas luftës, në Kosovë ende nuk dihet asgjë për fatin e mbi një mijë e 600 personave të zhdukur, pjesa më e madhe e tyre të përkatësisë kombëtare shqiptare.

XS
SM
MD
LG