Lidhje

Kosova strehon 111 qytetarë afganë


Autoritetet në Kosovë strehuan grupin e parë të qytetarëve afganë që mbërritën të dielën në mbrëmje në aeroportin e Prishtinës.

Ata janë vendosur në një kamp afër qytetit të Ferizajt rreth 35 kilometra larg Prishtinës, një hapësirë kjo e përdour nga kompania për ndërtimin e rrugëve “Bechtel-Enka”.

Kosova strehon 111 qytetarë afganë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:45 0:00

Grupi i qytetarëve afganë prej 111 persona që mbërriti mbrëmë në Prishtinë me aeroplan ushtarak amerikan shumica prej tyre janë gra, fëmijë e pleq të familjarë të kontraktorëve që kanë punuar për misionin e NATO-s.

Autoritetet në Kosovë thanë një grup tjetër pritet që gjatë ditës së hëne të mbërrij në Kosovë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla, tha mbrëmë se ende nuk është përcaktuar saktë numri i qytetarëve afganë, që do të strehohen në Kosovë por, sipas tij, nuk do të jetë i madh dhe se do të vlerësohen kapacitetet e vendit.

“Fluturimet e ardhshme priten të ndodhin qysh nesër, tani kemi konfirmimet e radhës për aterimet e ardhshme, është çështje e organizimit të aleatëve tanë për sa i takon fluturimeve apo nisjes së avionëve për në Kosovë”, tha zoti Sfeçla.

Qytetarët afganë u pritën mbrëmë në aeroportin e Prishtinës nga presidentja e Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti, dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se do të strehojnë përkohësisht deri në dy mijë afganë derisa të përfundojnë procedurat për destinacionin e tyre përfundimtar.

Më 16 gusht, qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën “për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për Viza të Veçanta Imigruese (SIV) - të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë familjet e tyre”.

Shtetet e Bashkuara kërkuan nga Kosova të pranojnë një numër afganësh, që kanë punuar me forcat amerikane, të cilët ndjehen të frikësuar nga hakmarrja e talebanëve, që morën nën kontroll vendin pas tërheqjes së trupave të huaja.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG