Lidhje

Biden mbron vendimin për t’i dhënë fund luftës në Afganistan


Presidenti Joe Biden përsëri mbrojti vendimin për t'i dhënë fund luftës 20 vjeçare në Afganistan, duke thënë se, “Unë nuk do ta zgjasja këtë luftë përgjithmonë dhe nuk do të zgjasja pa fund tërheqjen”.

“Mbrëmë Shtetet e Bashkuara i dhanë fund luftës 20 vjeçare në Afganistan”, tha Presidenti Biden nga Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se ishte lufta më e gjatë e Shteteve të Bashkuara.

Duke folur për evakuimin e amerikanëve dhe afganëve, pas marrjes së kontrollit të Afganistanit nga talebanët, Presidenti Biden tha: “Ne i dhamë fund një prej evakuimeve ajrore më të mëdha në histori, me më shumë se 120,000 njerëz të evakuuar në vend të sigurt. ... Asnjë shtet nuk ka bërë ndonjëherë diçka të tillë”, shtoi ai.

Për javë të tëra, Presidenti Biden dhe pjestarë të tjerë të administratës së tij diskutuan mundësinë për të qëndruar më gjatë, duke balancuar sfidat dhe përfitimet e një operacioni masiv për të evakuuar më shumë qytetarë amerikanë dhe civilë afganë përballë kërcënimeve të besueshme të sigurisë.

“Ishte rekomandimi unanim i Shefave të Shtabit dhe i të gjithë komandantëve tanë në terren për t'i dhënë fund misionit tonë të evakuimit ajror siç ishte planifikuar”, tha Presidenti Biden më herët.

“Pikëpamja e tyre ishte se përfundimi i misionit tonë ushtarak ishte mënyra më e mirë për të mbrojtur jetët e trupave tona dhe për të siguruar perspektivat e evakuimeve civile për ata që duan të largohen nga Afganistani në javët dhe muajt e ardhshëm”.

“Talebanët kanë marrë angazhime për kalim të sigurt dhe bota do t'i mbajë ata përgjehjës në angazhimet e tyre”, shtoi ai.

Vendimi i Presidentit Biden për zbatuar afatin e tërheqjes ngjalli kritika nga kundërshtarët politikë dhe nga disa aleatë. Dhënia fund e tërheqjes amerikane nga Afganistani vjen disa ditë para 20 vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, që i shtynë Shtetet e Bashkuara të ndërhyjnë në Afganistan në kërkim të terroristëve të al-Kaidës, që planifikuan sulmet dhe militantëve talebanë që i strehuan ata.

Drejtuesi i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara njoftoi përfundimin e misionit amerikan në Afganistan gjatë një konference shtypi të hënën në Pentagon, duke u thënë gazetarëve se avioni i fundit amerikan u ngrit nga Kabuli pak para mesnatës, sipas kohës lokale.

“Ishte një mision që solli para drejtësisë Osama bin Ladenin, së bashku me shumë nga bashkëpunëtorët e tij të al-Kaidës”, tha Gjeneral Kenneth (Frank) McKenzie përmes një lidhjeje video nga selia e CENTCOM në Florida. Ai vuri në dukje se kostoja për Shtetet e Bashkuara ishte e lartë.

"Dy mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e një ushtarë amerikanë dhe civilë u vranë dhe më shumë se 20,000 u plagosën”, tha ai, duke vlerësuar qindra mijëra trupa dhe civilë që luftuan dhe punuan në Afganistan.

"Ne nuk i evakuuam të gjithë ata që donim”, tha ai për shtypin, duke iu referuar përpjekjeve 18-ditore të përshkruar si evakuimi ajror më i madh në historinë e ushtrisë amerikane.

XS
SM
MD
LG