Në mesin e afganëve që mbërrijnë në Turqi pas ikjes nga talebanët janë edhe ata që luftuan përkrah forcave të NATO -s. Ata tani po kërkojnë ndihmë nga vendet me të cilat kanë punuar.
Youssef, pilot helikopteri i ushtrisë afgane, tregon fotografitë e forcave të NATO-s me të cilat ai ishte angazhuar në luftën kundër talebanëve. Ai thotë se ky bashkëpunim e vuri atë në shënjestër të talebanëve, duke e detyruar të ikte në Stamboll pak para se talebanët të merrnin Kabulin.
Tani ai po kërkon vizë nga vendet e NATO -s.
“Këshilltarët tanë ishin nga Britania, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania. Ne punuam me njëri-tjetrin në luftën kundër kryengritësve. Tani ne nuk mund të qëndrojmë në Afganistan, sepse të dhënat dhe informacionet tona janë në duart e talebanëve”, thotë Youssef, pilot i ushtrisë afgane.
Youssef është bashkë me një shok të tij, një pilot tjetër afgan, i cili nuk dëshiron të identifikohet. Ai erdhi në Stamboll tre muaj më parë pasi mori kërcënime me vdekje nga talebanët. Duke treguar aplikimet e tij të shumta për viza nga vendet e NATO -s, ai thotë se Youssef do të presë një kohë të gjatë.
"Unë provova Gjermaninë dhe Kanadanë, por ende nuk kam patur fat me asnjërin prej këtyre vendeve. Unë kam punuar me gjermanët dhe britanikët, kemi punuar përkrahë njëri-tjetrit, duke planifikuar misione, duke kryer misione kundër talebanëve. Por, është zhgënjyese kur në kohë të vështira ju nuk merrni ndihmë nga një mik apo koleg", tha ai për Zërin e Amerikës.
Pilotët afganë jetojnë në distriktin Zejtinburnu të Stambollit, të quajtur nga vendasit "Afganburnu", për shkak të popullsisë së tij të madhe afgane. Shumë prej tyre kanë ikur nga konflikti afgan vite më parë.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka përjashtuar mundësinë e pranimit të një vale të re afganësh, duke thënë se vendi i tij tashmë ka pranuar pesë milionë refugjatë, kryesisht nga lufta civile siriane.
Qeveria turke madje po refuzon të lejojë vendet e NATO -s që të përdorin Turqinë për të shqyrtuar kërkesat e afganëve për viza.
“Qeveria turke nuk po i regjistron ata brenda Turqisë. Ata nuk mund të aplikojnë për azil brenda Turqisë. Pra, në Turqi ata jetojnë si refugjatë të paligjshëm, si njerëz pa dokumente”, thotë Ali Hekmat nga Shoqata Solidariteti për Refugjatët Afganë.
Dy pilotët afganë po qëndrojnë në vend me viza turistike të cilat së shpejti do të skadojnë.
Ditët e fundit, shoku i Youssef-it mori një lajm të mirë se gruaja dhe tre fëmijët e tij u evakuuan nga Kabuli dhe Shtetet e Bashkuara tani po shqyrtojnë çështjen e tij.
Por Youssef-i mendon për gruan dhe dy fëmijët e tij ende të bllokuar në Kabul.
"Unë e kam mendjen tek familja ime, nëse ata janë të sigurt. Unë jam i sigurt por jam i shqetësuar për sigurinë e familjes", thotë ai.
Ndërsa asnjëri prej këtyre dy pilotëve nuk e di kur, ose nëse do të largohen nga Stambolli dhe nëse do të ribashkohen me familjet e tyre, ata thonë se janë me fat që kanë shpëtuar nga talebanët.
Facebook Forum