Lidhje

Shugurimi i kreut të Kishës Serbe në Mal të Zi mund të shkaktojë tensione ndëretnike


Në Mal të Zi janë shtuar tensionet në mes të ithtarëve pro-malazez dhe atyre pro-serb për çështjen e shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.

Shoqatat, organizatat dhe partitë promalazeze kanë theksuar se akti i shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në qytetin e Cetinës, i cili konsiderohet si kryeqyteti historik i Malit të Zi, është një provokim dhe përdhosje të shtetit të Malit të Zi dhe të popullit malazezë.

Shugurimi i kreut të Kishës Serbe në Mal të Zi mund të shkaktojë tensione ndëretnike
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:06 0:00

Ata paralajmërojnë se nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë që të bëhet shugurimi në Cetinë dhe përsëritën akuzat se Kisha Ortodokse Serbe mohon kombin, gjuhën, shtetin dhe kishën malazeze.

Ndërkaq, qeveria e Malit të Zi, vuri në dukje, se do të bëjë çmos që gjatë shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe të mos të ndodhin incidente.

Nëse megjithatë shkaktohen incidente, Qeveria nuk është përgjegjëse, por përgjegjësinë do ta kenë organizatorët dhe nxitësit e protestave”, tha kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq.

Zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq akuzoi Partinë Demokratike Socialiste të presidentit Milo Gjukanoviq për nxitjen e skenarëve negative në Mal të Zi.

Kushtetuta dhe ligjet duhet të jenë të barabartë për të gjithë dhe jo të shtrembërohet realiteti. Qytetarët e Malit të Zi duan paqen, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e Malit të Zi”, tha zoti Abazoviq.

Shtetet e Bashkuara, ditë më parë, kanë shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e retorikës në prag të ceremonisë së marrjes së detyrës të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

Departamenti i Shtetit vlerësoi se Mali i Zi është i njohur si një vend i tolerancës dhe se të gjithë qytetarët duhet të kryejnë pjesën e tyre për të respektuar këtë traditë.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithëve, qytetarëve, udhëheqësve politikë dhe fetarë, të punojnë në uljen e tensioneve”, thuhet në reagimin e Departamentit të Shtetit.

Edhe Komisioni Evropian kërkoi përmbajtje mes qytetarëve dhe të mos shkaktohet ndasi etnike dhe fetare në vend.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisanero Hernandez tha se Mali i Zi duhet tu qëndrojë fuqishëm vlerave evropiane.

“Tani është koha që të gjithë në Mal të Zi t'i përmbahen rrugës dhe vlerave evropiane duke promovuar paqen dhe tolerancën dhe duke punuar për të ardhmen evropiane të vendit”, tha zonja Pisonero.

Çështja e pronësisë së Kishës Ortodokse Serbe ka shkaktuar tensione të shumta gjatë viteve të fundit në Mal të Zi.

Ligji për Liritë fetare, në kohën kur në pushtet ishte PDS e presidentit Gjukanoviq, kërkonte nga Kisha Ortodokse Serbe të dëshmojë për pronat përgjatë viteve të kaluara.

Qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e gushtit të vitit 2020 e ndryshoi Ligjin duke ia njohur të drejtën e pronës kishës serbe, e cila selinë e ka në shtetin fqinj, në Beograd.

Mali i Zi është pjesë e NATO-s dhe aspiron që të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG