Lidhje

Një vit pas marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë


Një vit më parë, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin të marrëdhënieve ekonomike. Marrëveshja që ishte cilësuar si historike, për analistët në Prishtinë ende mbetet e paqartë zbatimi i plotë i saj.

Një vit pas marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:15 0:00

Drejtori i Grupit Ballkanik për hartimin e politikave, Naim Rashiti thotë për Zërin e Amerikës se një vit pas nga marrëveshja nuk ka pasur lëvizje nga dy qeveritë në Prishtinë dhe Beograd dhe se situata aktuale sipas tij është në pritje.

“Diskursi politik i filluar me nënshkrimin e marrëveshjes po na përcjellë me paqartësi, kemi një pjesë të subjekteve politike që mbështesin marrëveshjen por nuk e derivojnë, kemi një pjesë që tash është në qeveri e cila nuk ka qëndrim të qartë për marrëveshjen e Ëashingtonit e cila ish dashur ta bënte dhe besoj ta bëj të qartë me meritë sepse nuk e besoj që ka ndonjë element të dëmshëm në marrëveshjen e Ëashingtonit përveç asaj çfarë dyshohej e që nuk doli në raport me liqenin e Ujmanit”, tha ai.

Një vit pas marrëveshjes Kosovë-Serbi në Uashington, Shtetet e Bashkuara thonë se po vazhdojnë të punojnë “me Serbinë dhe Kosovën për të zbatuar angazhimet e tyre në mbështetje të qëllimit të normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve”.

Departamenti amerikan i Shtetit për njëvjetorin e marrëveshjes, në përgjigje të një kërkese nga Shërbimi Serb i Zërit të Amerikës tha se “shumë elementë të angazhimeve të Uashingtonit mbështesin vizionin e Shteteve të Bashkuara për rajonin, përfshirë diversifikimin e energjisë, lidhjen rajonale, mbështetjen e moratoriumit mbi anëtarësimet dhe tërheqjen e njohjeve dhe gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur".

Departamenti i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që palët të respektojnë angazhimet e marra në Uashington vitin e kaluar.

Pjesë e marrëveshjes ishte edhe moratoriumi njëvjeçar ku Kosova ishte pajtuar që të mos kërkojë anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare ndërsa Serbia të ndaloj fushatën e saj për tërheqje e njohjeve për Kosovën dhe do të përmbahej nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha gjatë javës se Kosova do të fillojë me kërkesa të reja për pranim në organizata ndërkombëtare, veprim ky që sipas e tij e shqetësojnë për shkak të mundësisë së destabilizimit të rajonit.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës tha ndërkaq në një përgjigje për Zërin e Amerikës se “anëtarësimi në organizata ndërkombëtare është i pandërprerë dhe bazohet në përparësitë e politikës së jashtme dhe interesat strategjike të vendit”.

Sipas ministrisë, procesi i anëtarësimit varet edhe nga afatet e aplikimit në organizatat ku synohet anëtarësimi’, thuhet në përgjigje por pa dhënë hollësi për apliket e mundshme pas skadimit të afatit nga marrëveshja e Washingtonit.

Marrëveshja e Uashingtonit ishte kundërshtuar nga opozita e asaj kohe, lëvizja Vetëvendosje e cila tashmë udhëheq me qeverinë. Në fillim të muajit gusht, parlamenti i Kosovës dështoi të miratojë një rezolutë për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit ku i bënte thirrje qeverisë së Kosovës të zbatojë marrëveshjen dhe të përgatis një plan veprimi që do t’i dorëzohej parlamentit.

Zoti Rashiti thotë se institucionet e Kosovës do të duhet të rimendojnë çështjen e moratoriumit për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

“Jemi në pritje se a do të ketë ndonjë krizë pas moratoriumit, a do të zotohen palët që t’i qendrojnë besnik, a ka peshë moratoriumi, është ende e paqartë, sidomos në mungesë të një dialogu intenziv mes Kosovës dhe Serbisë paqartësitë edhe më shumë rriten. Është edhe një raport shumë i mirë i kompanisë së kontraktuar për liqenin e Ujmanit i cili mund të lehtësonte përmbylljen e gjithë çështjes së marrëveshjes së energjetikës në veri edhe aty nuk ka ndonjë lëvizje të madhe”, tha ai.

Zoti Rashiti thotë se me gjithë paqartësitë, marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë është më e rëndësishmja që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe sipas tij ka qenë dashur të merret më shumë në konsideratë dhe e njejta të materializohet apo përpunohet së bashku me administratën amerikane.

“Është një konfuzitet shumë i madh, ish dashtë që institucionet të ulen, ta rimendojnë, ta riaktualizojnë dhe ta sforcojnë. Tani do të duhej të vinte iniciativa nga Prishtina apo edhe Beogradi, pra Prishtina të ulet me Departamentin e Shtetit dhe të shohin me administratën amerikane se çka duhet shtyrë përpara”, tha ai.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008 me mbështetjen e fuqive kryesore perëndimore, por të dyja palët janë përfshirë në bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011 për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

Bisedimet në nivel teknik pritet të vazhdojnë në fillim të javës që po vjen dhe nga përparimi i tyre varet edhe përparimi i të dyja vendeve në proceset integruese evropiane.

XS
SM
MD
LG