Lidhje

Turizmi i rikthehet normalitetit në Dubrovnik të Kroacisë 


Turizmi i rikthehet normalitetit në Dubrovnik të Kroacisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:13 0:00

Plazhet janë të ngarkuara dhe po ashtu edhe guidat turistike përreth qytetit të lashtë kroat të rrethuar me mure, Dubrovnik.

Punonjësit e turizmit thonë se sezoni veror i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë dhe i ka zënë të gjithë në befasi ndërsa frikësoheshin se pandemia e koronavirusit do t’i dekurajonte edhe një herë njerëzit që duan të udhëtojnë.

Sipas statistikave të bordit të turizmit, Kroacia ka mirëpritur 9 milionë njerëz deri më tani gjatë këtij viti.

Në vitin shumë të suksesshëm 2019, shifra arriti në rreth 17 milionë vizitorë deri në fund të sezonit.

Turizmi zakonisht arrin në 19% të prodhimit të brendshëm bruto të Kroacisë.

"Më lejoni ta krahasoj këtë sezon me atë të fundit. Padyshim që është shumë më mirë. Është pothuajse sikur të mos ketë ndodhur kurrë 2020-ta. Thjesht, filluam vonë dhe sezoni padyshim që u ndërpre në mes të gushtit. Po e shijojmë këtë periudhë të zgjatur në krahasim me vitin 2020, kështu që është shumë më mirë", thotë Josip Crncevic, i cili bën guida turistike.

Vendpushimi më i njohur i Kroacisë në Detin Adriatik është i preferuari i vizitorëve amerikanë.

I vendosur në Adriatikun jugor, afër kufirit me Malin e Zi, Dubrovniku njihet si "perla" e vijës bregdetare.

Qyteti me mure është një zonë e mbrojtur nga UNESCO.

E mbushur plot me aktivitete, rruga qendrore e Dubrovnikut, "Stradun", është plot me njerëz, ndërsa grupe turistësh mund të shihen përgjatë mureve të jashtme si pjesë e guidave turistike.

Në formë kujtese se pandemia nuk ka mbaruar, një parrullë e madhe në Dubrovnik i këshillon njerëzit të mbajnë distancën, të lajnë duart dhe të mbajnë maska për të qenë më të mbrojtur.

Megjithëse maskat nuk janë të detyrueshme gjatë gjithë kohës, njerëzit ndjekin disa rregulla të caktuara.

"Disa nga kolegët e mi duhet të bëjnë testet PCR, duhet të vaksinohen, dhe duhet të qëndrojnë padyshim me një grup. Grupet ndjekin rregullat publike, që do të thotë se ata nuk lejohen të hyjnë në dyqane dhe në restorante. Pra, ka padyshim udhëzime të caktuara të cilave u përmbahen dhe mendoj se të gjithë ne po veprojmë sipas rregullave të caktuara", thotë zoti Crncevic.

Toni Dugandzic, kamerier në restorantin 'Gusta Me' thotë se numri i madh i vizitorëve ishte një surprizë, kështu që ka pasur mungesa të stafit, por i janë përshtatur mirë veshjes së maskave. Në Kroaci, maskat janë të detyrueshme në hapësirat e mbyllura.

"Sezoni i kaluar, siç e dimë për shkak të COVID-it, nuk ishte shumë i mirë. Por këtë vit kemi shumë njerëz. Punojmë pak më shumë sepse nuk ishim të përgatitur me burime njerëzore, dhe ndryshimi është gjithashtu se duhet të mbajmë maska dhe të gjitha këto, të mbajmë distancën. Dhe ne duhet t'i paralajmërojmë njerëzit gjithmonë që të mbajnë maska kur hyjnë brenda, ndërsa jashtë mund të ulen pa maskë", thotë ai.

Gjatë muajit të kaluar, Kroacia ka përjetuar një rritje të rasteve të reja me COVID. Mesatarja për periudhën shtatë-ditore është dyfishuar që nga korriku, duke arritur tani në pothuajse 400 infektime të reja.

Zyrtarët kanë paralajmëruar se mund të fillojë një valë e re epidemike.

Një rritje e infektimeve vitin e kaluar ndërpreu papritur sezonin e turizmit veror në Kroaci në mes të gushtit, pasi shumë vizitorë u larguan nga frika e masave të mundshme të izolimit në vendet e tyre.

XS
SM
MD
LG