Lidhje

Avancimi i protezave përmirëson jetët e veteranëve të gjymtuar 


Përparimet teknologjike në mjekësinë e protezave kanë përmirësuar së tepërmi jetën e shumë veteranëve dhe anëtarëve të forcave të armatosura amerikane gjatë 20 viteve të fundit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh, novacioni po ndihmon jo vetëm veteranët por edhe civilët.

Avancimi i protezave përmirëson jetët e veteranëve të gjymtuar
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:33 0:00

Sipas Departamentit të Çështjeve të Veteranëve, më shumë se 250 mijë veteranëve u është prerë të paktën një krah ose një këmbë që nga viti 2000, pjesa më e madhe si rezultat i sëmundjeve të tilla si diabeti.

Falë përparimeve të fundit teknologjike, duart dhe këmbët protezë tani kanë më shumë lëvizshmëri dhe funksionalitet. Një risi e tillë ka ndihmuar jo vetëm veteranët, por edhe civilët.

Dhe puna kërkimore po zhvillohet në vazhdimësi.

Një procedurë e re për lidhjen e një gjymtyre artificiale në trup quhet osseo-integrim. Një copë metali futet në kockën e trungut të gjymtyrëve, e cila më pas lidhet drejtpërdrejt me një protezë. Është e vështirë për shkak të rrezikut të infeksionit dhe thyerjes.

"Kjo kërkon shumë testim për t'u siguruar që është në nivelin e duhur për t'i shërbyer veteranëve tanë dhe anëtarëve të forcave të armatosura", i tha Zërit të Amerikës Brian Schulz, nga Departamenti i Çështjeve të Veteranëve.

Ndër arritjet janë edhe gishtat dhe kyçet e lëvizshëm të duarve, të cilët mund të rrotullohen.

"Duart protezë dikur ishin thjesht një gremç ose mund të hapeshin dhe mbylleshin, dhe kishin një shkallë lirie për të kontrolluar vetëm një gjë", thotë zoti Schulz.

Por në vitin 2017, dy veteranët, Artie McAuley dhe Fred Downs, të cilët humbën krahët ndërsa shërbenin në Ushtrinë Amerikane, u pajisën me një pajisje proteze të avancuar të quajtur sistemi i krahut LUKE, i cili imiton nga afër lëvizjen natyrale të shpatullës, krahut dhe dorës.

“Para se të kisha protezën, isha thjesht një person me një krah. Po bëj shumë gjëra të tjera që doja t'i bëja më herët, por që kurrë nuk e kisha menduar se mund t'i bëja", thotë veterani Artie McAuley.

Dhe përparimet në printimin tre dimensional rezultojnë gjithashtu premtuese për zëvendësimin e personalizuar të gjymtyrëve.

"Pra, gratë veterane mund të kenë një këmbë me thembër të lartë nga e cila mund të shkëpusin kyçin e këmbës dhe ta vendosin në një këpucë të sheshtë, ose jo në këpucë, dhe ato do të kenë (në dispozicion) këmbë të shumta të prodhuara me printer 3D për t'u përputhur me këmbën tjetër...", thotë zoti Schulz.

Ende në zhvillim e sipër është përdorimi i nervave ekzistues për të ndihmuar protezat e personave të gjymtuar që t'i përgjigjen komandave të trurit për të aktivizuar muskujt dhe për të kontrolluar gjymtyrën protezë.

"Po punohet shumë për përmirësim në këtë drejtim", thotë zoti Schulz.

Zoti Schulz thotë se teknologjia vazhdon të evoluojë në pothuajse të gjitha aspektet e pajisjeve protezë.

"Sado të mira që të jenë protezat tani, unë mendoj se po i afrohemi përmirësimit shumë më tepër të tyre në vitet e ardhshme", thotë zoti Schulz.

Është një vizion ambicioz që mund të përmirësojë jetën e shumë njerëzve.

XS
SM
MD
LG