Lidhje

Zhvendosja e afganëve në SHBA i ngjason pranimit të refugjatëve në të kaluarën 


Më shumë se 120 mijë afganë po zhvendosen në Shtetet e Bashkuara. Një numër i ngjashëm vietnamezësh u vendosën në SHBA pas luftës amerikane në Vietnam. Megjithëse shumë ekspertë e kritikojnë fillimin kaotik të rivendosjes, ata e shohin atë si një mundësi për t’i bërë Shtetet e Bashkuara më të larmishme.

Dhjetëra mijëra afganë gjenden në Shtetet e Bashkuara, ose do të mbërrijnë së shpejti pas marrjes nën kontroll të Afganistanit nga talebanët muajin e kaluar.

Zhvendosja e afganëve në SHBA i ngjason pranimit të refugjatëve në të kaluarën
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:09 0:00

“Këta të evakuuar kanë shkuar në një vend të dytë. Disa prej tyre janë në Doha, disa prej tyre janë në Abu Dhabi. Disa prej tyre janë në baza ushtarake amerikane nëpër botë, ku po bëhet një lloj përpunimi i dokumentave", thotë Adam Bates, Projekti Ndërkombëtar i Ndihmës për Refugjatët.

Adam Bates është jurist me Projektin Ndërkombëtar të Ndihmës për Refugjatët, që ndjek rastet e shumë afganëve. Ai thotë se fushata për zhvendosjen e afganëve rivalizon zhvendosjen e refugjatëve vietnamezë pas luftës amerikane me Vietnamin... dhe se imazhet nga Vietnami duhet të kishin shërbyer si paralajmërim për evakuimin nga Afganistani.

"Mendoj se shumë amerikanë i mbajnë mend imazhet e helikopterit amerikan duke u ngritur nga çatia e aneksit të CIA -s dhe njerëzit që u lanë pas. // Ai imazh duhet të ishte në mendjen e të gjithëve, dhe ne kishim muaj për ta shmangur diçka të tillë. Për fat të keq, mesazhi nuk zuri vend dhe evakuimet nuk filluan në Afganistan deri në momentin e fundit… ”, thotë zoti Bates.

Afganët e evakuar nga Shtetet e Bashkuara kanë ardhur me nivele të ndryshme statusi. Disa janë shtetas ose kanë karta jeshile; të tjerët kanë viza të veçanta emigrimi, dhe një numër shumë i madh janë pranuar me kusht për arsye humanitare. Këta të fundit nuk kanë përfitime apo status.

Analistët thonë se Kongresi duhet të miratojë legjislacion për t'u ofruar afganëve të pranuar me kusht një mundësi drejt shtetësisë në një periudhë të shkurtër. Kjo ndodhi me refugjatët kubanë në vitet 1960 dhe refugjatët kurdë nga Iraku në vitet 1990. Shumë vietnamezë gjithashtu hynë me kusht në Shtetet e Bashkuara për arsye humanitare në vitet 1970.

Përveç legjislacionit, ekspertët thonë se ndihma nga qeveria federale do të jetë e nevojshme dhe urgjente për fonde dhe burime njerëzore. Nëse jepet kjo ndihmë, ata thonë se perspektiva do të jetë shumë më e mirë.

"Në shumë mënyra, Shtetet e Bashkuara kanë patur suksese të mëdha në integrimin e disa popullsive, si ajo që po shohim tani. Nuk ka qenë gjithmonë e qetë apo e lehtë, por e ka bërë vërtet Amerikën një shoqëri shumë më të gjallë dhe të larmishme, dhe shumë njerëz mendojnë se kjo është një gjë e mirë në vetvete, sepse ky është një vend ku pothuajse të gjithë, ose paraardhësit e tyre, erdhën këtu nga diku tjetër. Pra kjo është vërtet pjesë e traditës amerikane", thotë Thomas Warrick, nga Këshilli i Atlantikut.

Por jo të gjithë e dëshirojnë rivendosjen e refugjatëve afganë. Disa zyrtarë të lartë republikanë dhe të tjerë që dëshirojnë kufizime të rrepta për emigracionin shqetësohen se nuk do të ketë burime të mjaftueshme për t’u siguruar se nuk do të lejohen në vend terroristë të mundshëm. Megjithatë, anketimet aktuale tregojnë se shumica e amerikanëve nga të dy kahet politike mbështesin përpjekjen për rivendosje.

"Kjo çështje ka patur një mbështetje të madhe dypartiake, dhe ndoshta sinqerisht kjo është një mundësi për të riformuluar përfundimisht debatin se si duhet të mirëpresim ata që duan të vijnë këtu nga vende të tjera", thotë Camille Mackler, nga Qendra Truman për Politikat Kombëtare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG