Lidhje

Putin vetizolohet pas infektimit me COVID të anëtarëve të rrethit të tij të ngushtë


Kremlini njoftoi të martën se Presidenti rus Vladimir Putin ndodhet në vetizolim pas konstatimit se anëtarë të rrethit të tij të ngushtë janë prekur nga koronavirusi. Në njoftim thuhej gjithashtu se vetë udhëheqësi rus rezultoi negativ.

Presidenti Putin, i cili është plotësisht i vaksinuar me vaksinën ruse Sputnik V, mori pjesë të hënën në disa aktivitete publike që u mbajtën në ambjente të brendshme. Një ndihmës i tij këmbënguli të martën se shëndeti i asnjë personi nuk ishte i rrezikuar.

Gjatë një telekonference me gazetarët, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Presidenti Putin, 68 vjeç, është "absolutisht i shëndetshëm", por se ai kishte qenë pranë një personi të infektuar me COVID-19. I pyetur nëse zoti Putin ka rezultuar negativ, zoti Peskov u përgjigj: "absolutisht, po".

Zoti Peskov nuk tha kur Presidenti Putin kishte nisur vetizolimin, kur e kishte marrë përgjigjen e testit dhe se sa kohë parashikonte të qëndronte në izolim apo cilët nga njerëzit e afërt të tij ishin infektuar.

Gjatë një video-konference me zyrtarë të qeverisë dhe anëtarë të partisë në pushtet “Rusia e Bashkuar”, zoti Putin tha se disa njerëz të "rrethit të tij të ngushtë" ishin infektuar me koronavirus, përfshirë një anëtar të stafit, me të cilin kishte patur kontakte të ngushta ditën e hënë.

Duke iu referuar këtij të fundi zoti Putin tha se ai ishte i vaksinuar dhe kohët e fundit ishte "rivaksinuar", me shumë gjasa duke iu referuar dozes së tretë të vaksinës që Rusia po u ofron njerëzve të imunizuar prej më shumë se gjashtë muajsh.

"Tre ditë pas rivaksinimit ai u sëmur", tha Presidenti Putin. "Ne do të shohim se si funksionon realisht Sputnik V".

Edhe vaksinat më efektive në qarkullim që luftojnë koronavirusit nuk i parandalojnë infeksionet, por ato zvogëlojnë rrezikun për t'u sëmurë rëndë ose vdekjet si pasojë e COVID-19.

Autoritetet ruse janë kritikuar rregullisht për nënvlerësimin e pandemisë dhe se kanë zbatuar rrallë masa për ta kontrolluar atë edhe përballë rritjes së infeksioneve. Numri i vdekjeve në Rusisë aktualisht po shkon në nivelin më të lartë të pandemisë, rreth 800 viktima në ditë. Megjithatë aktualisht nuk ka pothuajse asnjë kufizim lidhur me virusin.

Presidenti Putin nuk ka vendosur kurrë maskë publikisht, megjithëse shpesh ai dukej se po punonte kryesisht në distancë dhe rrallë shihej në publik para se të vaksinohej.

Të hënën, zoti Putin mori pjesë në një aktivitet publik, pjesa më e madhe e të cilit u zhvillua brenda. Pamjet televizive treguan se askush nuk mbante maska. Ai shtrëngoi duart me paraolimpistët rusë dhe u vendosi atyre medalje, ndoqi stërvitjet ushtarake së bashku me zyrtarë të tjerë dhe u takua me Presidentin sirian Bashar Assad, me të cilin gjithashtu shtrëngoi duart. Zoti Assad rezultoi pozitiv me koronavirusin në muajin mars dhe më vonë u shërua. Nuk është e qartë nëse ai është i vaksinuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG