Lidhje

Shqipëri, shtohen rastet e infektimit me COVID-19


Shqipëri, shtohen rastet e infektimit me COVID-19
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:01 0:00

Pas muajve të verës, kur Shqipëria u kthye në një vend të hapur, pa masa anti-COVID, tashmë situata epidemiologjike po njeh përkeqësim dhe shtim të rasteve të infektimit. Tirana dhe Shkodra janë dy zonat me numrin më të lartë të rasteve aktive me COVID-19. Shefja e sektorit të epidemiologjisë në Shkodër, doktoreshë Dhurata Hysa, tha për Zërin e Amerikës se rastet në rritje kanë të bëjnë me nënvleftësimin e masave anticovid.

“Përsa i përket situatës epidemiologjike në rajonin e Shkodrës mund të themi që, në muajin e fundit, ka patur nje numër rekord të të infektuarve. Qytetarët nuk i kushtojnë shumë rëndësi masave anticovid me qëllim që të mbrojnë veten e tyre. Duke mbrojtur veten e tyre sigurisht që do të mbrojnë edhe familjarët dhe të afërmit. Pra, është një pakujdesi, është një nënvleftësim i masave anti-COVID”, tha ajo.

18 muaj pas shfaqjes së rasteve të para me covid në Shqipëri, sipas psikologut Altin Nika, qytetarët janë më të qetë psikologjikisht, ka më pak gjendje ankthi dhe pasigurie si dhe janë më të informuar mbi virusin dhe pasojat e tij. Por kjo, shton ai, ka bërë që shumë qytetarë të nënvleftësojnë masat mbrojtëse.

“Nëqoftëse në fillim të gjithë thonim se çfarë është virusi dhe asnjë nuk dinte t’i japë përgjigje, kur kishim një kakofoni shumë të madhe informacioni mes asaj se është diçka e prodhume, është diçka që nuk njihet, është diçka që mund të mos na bëjnë keq, sot e kuptojmë se na bën keq. Dijmë intitucionet se ku ne duhet të shkojmë për masat dhe jemi të relaksuar nga ana psikologjike. I vetmi moment shumë i rëndësishëm, që ne duhet të reagojmë, është që duhet të kemi dhe të vazhdojmë të kemi kujdes”, thotë psikologu Altin Nika.

Vetëm gjatë 10 ditëve të fundit, kur Komiteti teknik i ekspertëve vendosi rikthimin e masave kufizuese në pikëkalimet kufitare dhe mjediset e mbydhura, janë regjistruar 8330 infektime të reja, tregues ky 5.3 herë më i lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ndërsa numri i përsonave, që kanë humbur jetën është 41, ose dhjetë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2020.

Komiteti teknik i vaksinimit ka shpallur muajin shtator si muaj të hapur për vaksinimin, ku përsonat mbi 18 vjeç mund të vaksinohen në çdo qendër vaksinimi, ndërsa për grupet më të rrezikuara, ku përfshihen stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët, vaksinimi tashmë është bërë i detyrushëm.

Drejtuesi për procesin e vaksinimit në Shkodër, Arben Xhabija, flet për shtim të rasteve të përsonave që kërkojnë të vaksinohen.

“Ka një fluks rreth 400 individë në ditë, që vijnë të vaksinohen me dozat e para dhe të dyta. Ka një interesim më të madh se sa në muajt e qershorit dhe korrikut. Në periudhën e gushtit dhe shtatorit ka një rritëm më të lartë të përsonave të interesuar. Kjo është edhe si rezultat i shtimit të rasteve pozitiv, por edhe ndërgjegjësimit të individëve për të aplikuar vaksinat”, tha zoti Xhabija.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, që nga fillimi i fushatës së vaksinimit, janë kryer mbi 1 milion e 600 mijë vaksinime, ku rreth 700 mijë qytetarë kanë marrë dy dozat e vaksinës.

XS
SM
MD
LG