Lidhje

Udhëheqësit botërorë rikthehen në OKB, duke u përqendruar tek klima dhe COVID-19


Udhëheqësit botërorë do të kthehen në Kombet e Bashkuara në Nju Jork këtë javë duke u përqendruar tek shtimi i përpjekjeve për të luftuar si ndryshimin e klimës ashtu edhe pandeminë COVID-19, e cila vitin e kaluar i detyroi ata të marrin pjesë virtualisht në Asamblenë e Përgjithshme.

Ndërsa pandemia vazhdon dhe shpërndarja e vaksinave ka qenë e pabarabartë, rreth një e treta e udhëheqësve të 193 vendeve të OKB -së po planifikojnë edhe këtë radhë të marrin pjesë përmes videos, por presidentët, kryeministrat dhe ministrat e jashtëm e tjerë do të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara u përpoqën të bindnin udhëheqësit që të mos udhëtonin në Nju Jork, në një përpjekje për të parandaluar një përhapje masive të virusit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, megjithëse Presidenti Joe Biden do të shkojë në Asamble, vizita e tij e parë në OKB që nga marrja e detyrës.

Në OKB është përdorur një sistem sipas së cilit nënkuptohet automatikisht se cilido që hyn në sallën e asamblesë është i vaksinuar, megjithëse nuk u duhet të paraqesin prove për një gjë të tillë.

Ky rregull i pashkruar do të shkelet kur të flasë presidenti brazilian Jair Bolsonaro i cili është skeptik ndaj vaksinës. Ai deklaroi javën e kaluar se nuk ka nevojë për vaksinë sepse është tashmë i imunizuar pasi e ka kaluar COVID-19-ën.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres i tha agjencisë Reuters se fakti që po diskutohet se sa nga diplomatë që do të marrin pjesë në Asamble mund të jenë vaksinuar, pasqyron se "sa dramatike është pabarazia sot në lidhje me vaksinimin". Ai po bën trysni për një plan global për të vaksinuar 70% të botës deri në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

Nga 5.7 miliardë doza të vaksinave të koronavirusit të administruara në të gjithë botën, vetëm 2% kanë qenë në Afrikë.

Zoti Biden do të jetë në Nju Jork vetëm për rreth 24 orë, ku do të mbajë një takim me zotin Guterres të hënën dhe do të mbajë fjalimin e tij të parë në OKB të martën, menjëherë pas zotit Bolsonaro.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG