Lidhje

Në veriun e Kosovës rrugët vijojnë të jenë të bllokuara


Për të pestën ditë me radhë, grupe qytetarësh serb po mbajnë të bllokuara rrugët për në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë dhe Bërnjak, në veriun e banuar me shumicë serbe, në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave.

Nga e hëna, makinat me targa të Serbisë duhet të pajisen me targa të përkohshme me të hyrë në Kosovë. Fillimi i zbatimit të këtij vendimi është masë e ndërsjellë pasi njësoj veprohet me makinat nga Kosova që hyjnë në Serbi prej dhjetë vitesh me radhë.

Zbatimi i vendimit të qeverisë për targat e makinave ka tensionuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Autoritetet e Kosovës janë shprehur të gatshëm që të heqin masën e reciprocitetit në rast se edhe Serbia zotohet të bëj të njëjtën gjë për makinat me targa të Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi.

Por, zyrtarët në Beograd kanë hedhur poshtë një gjë të tillë duke kërkuar që njësitë e posaçme të policisë së Kosovës të largohen nga veriu dhe autoritetet në Prishtinë të heqin masën e vendosur më 20 shtator.

Serbia ka hedhur poshtë mundësinë e vazhdimit të bisedime në Bruksel pa u përmbushur këto kushte, ndërsa tha se ka ngritur gatishmërinë luftarake të trupave të saj në afërsi të kufirit me Kosovën.

Diplomatet perëndimor po bëjnë thirrje për uljen e menjëhershme të tensioneve në veriun e Kosovës, dhe kthim në tryezën e bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Edhe NATO-ja bëri thirrje për uljen e menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës dhe që Prishtina e Beogradi “të përmbahen, të shmangin veprimet e njëanshme dhe t’i kthehen dialogut”.

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, përmes një postimi në rrjetin social Twitter tha se mandati i KFOR-it është një mjedis i sigurt dhe liria e lëvizjes për të gjitha komunitetet.

XS
SM
MD
LG