Lidhje

50 vjetori i Qendrës Kennedy 


Qendra Kennedy për Artet Skenike në Uashington po shënon 50 vjetorin e saj dhe rihapjen me kapacitet të plotë të skenave të saj.

Në sezonin e ri, spektatorët do të duhet të mbajnë maskat, por ata mund të shijojnë shfaqjet pa patur nevojë për distancim fizik.

50 vjetori i Qendrës Kennedy
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:26 0:00

Muzikantët u kthyen në skenë në mes të shtatorit pasi interpretuan në distancë që nga fillimi i pandemisë në vitin 2020.

“Jam e lumtur që u rikthyem në skenë. Kjo është hera e parë pas më shumë se një viti që organizojmë një shfaqje me orkestër të plotë në Qendrën Kennedy", thotë violinistja e Orkestrës Simfonike Kombëtare, Marissa Regni.

Presidentja e Qendrës Kennedy të Arteve Skenike, Deborah Rutter, thotë se edhe pse pandemia nuk do të përfundojë së shpejti dhe ka një rritje të rasteve me variantin Delta, qendra nuk do të mbyllet përsëri.

Një nga arsyet për këtë është zbatimi i një rregulli të ri, sipas të cilit çdo person që hyn në qendër duhet të tregojë dëshmi të vaksinimit ose të një testi negativ për COVID-19.

"Unë mbaj maskën dhe respektoj distancimin fizik, pavarësisht se i ndjek shfaqjet vetëm me burrin dhe djalin tim", thotë Yolanda.

Një e katërta e repertorit të zakonshëm u desh të shkurtohej për sezonin e 50 vjetorit për shkak të pandemisë, megjithatë zyrtarët thonë se ky do të jetë një sezon i veçantë.

"Për shumë vite ne kemi pritur shënimin e 50 vjetorit. Por gjatë 18 muajve të fundit ne u detyruam të ndryshonim qasjen tonë. Ekipi im ka punuar vërtet shumë për të përpunuar në mënyrë të përsosur idetë e tyre!", tha Presidentja e Qendrës Kennedy, Deborah Rutter.

Shfaqjet e kësaj vjeshte do të jenë të larmishme, nga ato të komedianëve derit tek ato të baletit.

Në holl janë vendosur fotografi të Qendrës Kennedy që nga dita e hapjes së saj.

"Unë kam një fletë të firmosur të programit nga nata e hapjes më 8 shtator 1971, si dhe një biletë", thotë arkivistja e Qendrës Kennedy, Sofia Becerra-Licha.

Skena e Qendrës Kennedy është e pasur me kujtime. Mikhail Baryshnikov shfaqi këtu baletin e tij “Nutcracker” (“Arrëthyesi”), Maria Callas interpretoi në operën “Norma” të Vincenzo Bellinit, Aretha Franklin interpretoi këngën "Natural Woman" për ish-Presidentin Barack Obama dhe ish-Zonjën e Parë Michelle Obama.

Anëtarët e stafit thonë se ata janë të gatshëm të krijojnë kujtime të reja në Qendrën Kennedy.

XS
SM
MD
LG