Unioni Mbarëkombëtar për Integrimin e Ish të Burgosurve dhe të Përndekurve Politikë të Shqipërisë organizoi në Malësi të Madhe ceremoninë e dekorimit, pas vdekjes, nga Presidenti i Republikës, të 5 luftëtarëve antikomunistë të malësisë, pjesëmarrës në Kryengritjen antikomuniste të Malësisë të vitit 1945, major Llesh Marashit, Gjekë Pjetër gegaj, Mark Tom Kolnikaj, Shkurte Kelaj dhe lame Ahmet Salihaj.
Duke iu dorëzuar familjarëve dekoratat e dhëna nga Presidentit Meta, përfaqësuesi i Presidencës, Ylli Asllani, tha se vuajtjet dhe sakrificat e ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë duhet të vlerësohet nga të gjitha institucionet.
Presidenti Ilir Meta i ka akorduar Llesh Marash Vatës, pas vdekjes, dekoratën e Artë të Shqiponjës “në vlerësim të aktivitetit të tij atdhetar në mbrojtje të lirisë, kombit, fesë dhe kufijve të atdheut".
"Shpirti i tij liridashës nuk u përkul para çdo pushtuesi si dhe diktaturës komuniste deri në sakrificën më sublime në mbrojtje te idealit për liri dhe demokraci", thuhet në vlerësimin e Presidencës.
Po sot, Presidenti Meta nderoi Gjek Pjetër Gegaj dhe Mark Tom Kolnikaj me dekoraten “Kalorësi i Urdhërit të Skendërbeut”, ndërsa Shkurte Kelajn dhe Lame Ahmet Salihaj me titullin “Për merita të veçanta civile”.
Presidenti i Unionit Mbarëkombëtar për Integrimin e Ish të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Besim Ndregjoni, u shpreh gjatë ceremonisë së është i vonuar dekorimi i 5 qëndrestarëve antikomunistë të Malësisë së Madhe.
"Ka ardhur koha që mesazhi i Llesh Marashit, i udhëheqësit të kryengritjes antikomuniste të Malësisë së Madhe, është mesazhi i besës, mesazhi i burrërisë, por edhe mesazhi i dashurisë dhe vëllazërimit të shqiptarëve. Boll ideologjia na ka ndarë, boll shpifja na ka ndarë. Ka ardhur koha të përbuzim shpifjen, të përbuzim ideologjinë staliniste”, theksoi ai.
Në cerëmoninë e sotme, në nderim të 5 luftëtarëve antikomunistë të Malësisë së Madhe, merrnin pjesë banorë të malësisë, ish të burgosur dhe të përndjekur politikë si dhe familjarë të të dekoruarve të ardhur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për luftën dhe qendresën në mbrojtje të trojave shqiptare dhe kundër vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri, Malësia e Madhe është nderuar nga Presidenca e Shqipërisë me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.