Lidhje

Presidenti Biden kërkon mbështetje për planet e tij të shpenzimeve qeveritare 


President Joe Biden delivers remarks on his Build Back Better agenda during a visit to the International Union of Operating Engineers Local 324, in Howell, Mich., Oct. 5, 2021.

Presidenti Joe Biden shkoi në Miçigan për të promovuar përparësitë e tij legjislative për infrastrukturën dhe rritjen e shpenzimeve për programet sociale. Të dy projektligjet përballen me një ngërç në Kongres pasi dy grupe të partisë demokrate të Presidentit Biden kanë mendime të ndryshme mbi madhësinë dhe fushëveprimin e paketave financiare.

Investimet në infrastrukturë dhe zgjerimi i programeve të mirëqenies sociale, janë dy çështjet kryesore për të cilat Presidenti Joe Biden bëri fushatë.

Me axhendën e tij legjislative të bllokuar në Kongres, ai vizitoi një qendër trajnimi për punëtorët të martën në Houell të Miçiganit për të promovuar planet e tij.

“Nuk mjafton të investojmë vetëm në infrastrukturë. Nëse duam ta udhëheqim botën si dikur, ne duhet të investojmë edhe tek njerëzit tanë, ashtu siç bëni ju këtu në këtë qendër trajnimi", tha ai.

Presidenti Biden po promovon agjendën e tij kryesore legjislative, projektligjin e infrastrukturës prej 1.2 trilionë dollarësh, që ka mbështetje dypartiake, si dhe buxhetin 3.5 trilionë dollarësh, që përfshin zgjerimin e programeve sociale. Krahu progresiv i partisë demokrate e quan këtë të fundit "infrastrukturë njerëzore", e cila përfshin rritjen e shpenzimeve për arsimin dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike.

"Ata nuk e rrisin tavanin e borxhit, sepse shpenzimet për këtë do të mbulohen duke kërkuar nga të pasurit, që të paguajnë pjesën që u takon. Në fakt, një pjesë e konsiderueshme e këtij plani ul taksat për klasën punëtore. Dhe më e mira nga të gjitha është se kostoja e këtyre projektligjeve nuk e shton deficitin buxhetor", tha Presidenti Biden.

Planet kanë ngecur pasi ligjvënësit nga partia e Presidentit Biden nuk pajtohen për madhësinë dhe fushëveprimin e këtyre paketave financiare.

Senatorët krahut të moderuar të partisë demokrate,Joe Manchin nga Virxhinia Perëndimore dhe Kyrsten Sinema nga Arizona thonë se paketa prej 3.5 trilionë dollarësh është shumë e madhe. Ata duan që kostoja e saj të jetë më e vogël.

Ndërkohë, ligjvënësit e krahut progresiv të partisë demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve kanë kërcënuar të tërheqin mbështetjen për buxhetin e infrastrukturës prej 1.2 trilion dollarësh, nëse nuk miratohet paketa më e madhe financiare. Meqenëse Senati është i ndarë në mënyrë të barabartë 50-50, demokratët nuk mund të përballojnë humbjen e asnjë vote nga radhët e tyre.

"Nëse këto dy paketa nuk miratohen, viti i parë i administratës së Presidentit Biden nuk do të ketë shumë të arritura. Kjo gjithashtu në njëfarë mënyre do të ngrinte dyshime mbi premisën kryesore të presidencës Biden, se ajo është e fokusuar, mbështetet tek ekspertët pragmatikë, është e qetë, legjislative dhe mund ta bëjë punën me sukses. Nëse në mënyrë të papritur partia demokratike del jashtë kontrollit nën udhëheqjen e tij, kjo me të vërtetë do vihej në dyshim", thotë Jason Grumet nga Qendra e Politikave Dypartiake.

Presidenti Biden u takua me ligjvënësit në Kongres javën e kaluar, por nuk arriti t'i pajtonte ata, pavarësisht mbështetjes së madhe për disa nga pikat e propozimeve të tij.

Përveç riparimit të infrastrukturës së shkatërruar të vendit, paketa më e madhe financiare do të siguronte edhe kujdes universal për fëmijët e vegjël, me kosto më të ulët dhe pushim familjar të paguar.

"Pandemia zbuloi shumë dobësi në ekonominë amerikane, dhe legjislacioni tani po trajton disa prej tyre. Ka patur gjithashtu një fokus të rëndësishëm në ndryshimin e klimës në të dyja projektligjet, që padyshim ka shumë rëndësi për komunitetin global", thotë Jason Grumet.

Vizita e Presidentit Biden në Miçigan pasqyron rëndësinë e sigurimit të mbështetjes së ligjvënësve të krahut të moderuar deri në afatin e votimit më 31 tetor. Një afat tjetër legjislativ për Presidentin Biden është 18 tetori, kur Kongresi duhet të votojë për të rritur tavanin e borxhit për të shmangur pasiguritë e mundshme ekonomike globale, që mund të shkaktoheshin nga dështimi i Shteteve të Bashkuara për të paguar borxhet e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG